Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë pasur rritje deri 48,5%

14:00 | 19 December 2021

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon edhe në fushën e ekonomisë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar se eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor, arritën mbi 35 miliardë lekë duke shënuar rritje me 48.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës. Ndërkohë, importet llogariten mbi 12.6 miliardë lekë.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës materiale ndërtimi dhe metale. Vlera e eksporteve të këtij grupi llogaritet mbi 16 miliardë lekë.

Po ashtu, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës, ushqime dhe pije në vlerën e 4.2 miliardë lekëve dhe minerale, lëndë djegës dhe energji elektrike në vlerën e 7.6 miliardë lekëve.

Por shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë shumë më të gjera se vetëm flukset tregtare. Ato shtrihen në shkëmbime ekonomike në industrinë e turizmit, shërbimeve financiare, shkëmbime në fushën e arsimit dhe teknologjisë, transportit apo telekomunikacionit.

Potenciali është akoma më i madh dhe i qëndrueshëm për specializim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të konkurrueshmërisë, me anë të konsolidimit të zinxhirit të vlerës nëpërmjet shkëmbimeve ndërsektoriale, në fusha si agropërpunim, industri kimike dhe kozmetike, prodhim artikuj paketimi prej plastike dhe letre, përpunim i metaleve, etj.

Nga sektorët e pashfrytëzuar deri tani, potencial për shkëmbime tregtare shfaqin sektorë si tekstilet, prodhimet e lëkurës, makineritë, prodhimet e detit, produkte druri të përpunuar, etj.

Komento: