Eksporti i mjedrës në BE, Kosova e mposht Bullgarinë

21:12 | 30 Korrik 2019

Kosova ia ka marr tregun Bullgarisë për shitjen e mjedrës në BE.

Prodhuesit e mjedrës në Bullgari kanë thënë se është shënuar rënie drastike në shitjet e produkteve të tyre.

Industria këmbëngul se ky trend ka nisur vitin e kaluar dhe nëse shteti nuk ndërmerr masa urgjente, shumë kompani do të bankrotojnë. Arsyeja kryesore, siç raporton Televizioni Publik bullgar, është futja e mjedrave nga vende jashtë Bashkimit Evropian që, siç raporton ky televizion, në mënyrë agresive po futen në tregun evropian.

Prodhues bujqësorë të përfshirë në kultivimin e mjedrës në Bullgari janë pak më shumë se 1000 dhe plantacionet e tyre janë rreth 2,200 hektarë. Mjedrat e freskëta janë për tregun e brendshëm kurse të ngrirat janë për tregun evropian. Kultivuesit e mjedrës, megjithatë, brengosen se produktin e tyre do ta shesin me humbje këtë vit.

Bozhidar Petkov, kryesues i Shoqatës Bullgare të Mjedrës, thotë se në 2-3 vitet e fundit, vendet që s’janë marrë tradicionalisht me kultivimin e mjedrës, si Kosova, Ukraina, Mali i Zi e madje edhe Shqipëria, kanë nisur të shfaqen në këtë treg.

Me një çmim prej rreth 1.2-1.3 euro, Petkov thotë se ata ofrojnë mjedra të ngrira për tregjet gjermane.

Deri më tani, prodhuesit bullgarë kanë shitur mirë në tregun gjerman, në atë britanik dhe në Francë.

Komento: