
Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Gjermania në Kosovë.
Sipas njoftimit, i dyshuari me inicialet S.N. ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kërkohej nga INTERPOL me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “grabitje”.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari kishte qenë në arrati dhe i ishte shmangur drejtësisë për një kohë.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre gjermane. Pas kthimit në vend, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Mitrovicës për vazhdimin e procedurave ligjore.