Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë Qeveria Kurti në një vit, është karakterizuar me një paaftësi të plotë.
Në seancën e sotme, Hoxha u shpreh se Qeveria duhet të këndellët pasi siç tha ajo, po jeton sikur të jetë në një vakuum jashtë realitetit tonë.
“Qeveria Kurti ka mbushur 1 vit prej se është mandatar nga ky kuvend. Kjo Qeveri është karakterizuar me një paaftësi të plotë dhe kjo ka pasur efekt të madh në jetën tonë, pa dallim. Jo vetëm që nuk është bërë progres në asnjë fushë, por ka pasur stagnim deri në shkallën që të rinjtë dhe të rejat të mos shohin kurrfarë perspektive dhe të ndjekin dyert e ambasadave për një jetë më të mirë. Ka qenë refuzuese ndaj projekteve investuese siç ishte gazi natyror. Përveç mungesës së vizionit për zhvillim, nuk ka pasur vizion menaxhimin e pandemisë, menaxhimin e përditshëm të punëve dhe të jetës sonë të përditshme”.
Hoxha tutje u shpreh se politika e jashtme me Qeverinë Kurti, është udhëhequr në mënyrën ‘më të padinjitetshme’.
“Politika e jashtme është udhëhequr në mënyrën më të padinjitetshëm të mundshme, ka pasur abstenim të plotë në politikën e jashtme”.
Mes tjerash, deputetja e PDK-së, tha se karshi rritjes së çmimeve në Kosovë, Qeveria ka qenë spektatore e vërtetë.
“Që nga rritja e çmimit të energjisë dhe rritjes së çmimit të çdo artikulli tjetër, Qeveria ka qenë spektatore e vërtetë. Për një vit të kësaj Qeverie, numri i të papunëve është rritur, numri i të rinjve dhe të rejave që kërkojnë largimin nga Kosovës, dhe numri i çmimeve është rritur. E vetmja gjë që nuk është rritur, është paga dhe punësimi. Qeveria është treguar e paaftë dhe tepër e ngadalshme”.
“Kërkojmë nga Qeveria që të këndellët dhe të ndërgjegjësohet, të kuptojë realitetin në të cilin ndodhemi. Të fillojë të operojë pa kurrfarë kompleksi në raport me detyrat e saj. Nuk kemi pritur Qeveri të mirë dhe produktive, por është shumë e dëmshme që jetët tona të rëndohen e degradohen. Kjo Qeveri po bën sikur të jetonte në një vakuum jashtë realitetit tonë. Këndellja juaj është nevojë sepse ju kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha Hoxha.