Eliza Hoxha tregon pse i hyri politikës.
Arkitektja dhe artistja, Eliza Hoxha, tashmë do të ketë edhe një angazhim tjetër – ajo do të japë kontributin e saj edhe në politikë.
Hoxha të premten njoftoi se rrugëtimin e saj politik do ta bëjë duke qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo në Zona B të Klan Kosovës ka treguar se cilat ishin arsyet që ajo e mori një vendim të tillë që shumëkënd edhe mund ta ketë befasuar.
“Rruga në politikë tash e tutje do të jetë me shumë dimensione për faktin që unë më në fund kam vendosur t’i bashkangjitem një rrugëtimi dhe të aktivizohem në një platformë tjetër dhe ndryshe për qytetin, nga roli i politikëbërjes”.
“Kam qenë aktive duke shkruar dhe folur për qytetin, ndonjëherë në bazë kritike dhe ndonjëherë me sugjerime se si mund të duket Prishtina, por gjithmonë me idenë se mund të përparojmë dhe të jemi zëri shtyes i ndryshime për të mirë në qytet”.
“Në fund vjen një moment, ndoshta edhe moment pjekurie, kur ti beson së nuk është vetëm ajo platformë për të bërë ose nuk e bën atë ndryshimin e duhur ose është e pafuqishme ta bëjë ndryshimin e duhur në qytet”.
“Natyrisht e rimendon edhe pozicionin tënd dhe aktivizmin tënd si qytetar dhe person publik në një platformë tjetër komunikimi dhe veprimi, çfare është tash e tutje”.
Por, pse vendosi Eliza Hoxha të jetë pjesë e politikës, në këtë moment të jetës së saj?
“Unë mendoj që në rrugëtimin dhe ndërtimin tim profesional dhe publik kam bërë aq sa kam mundur, në fushën time të veprimit dhe kompetencat e mia, për të thënë dhe lënë një shenjë në të mirë të qytetit, por edhe shtetit”.
“Ka shumë projekte që i kam punuar edhe te pjesa e artit dhe muzikës që ngrisin çështje për grupet e margjinalizuara, problematikat e ndryshme shoqërore, ato fizike në qytet apo edhe politike”.
Hoxha ka thënë se shumë kujt mund t’i duket i tepërt ky angazhim i ri krahas shumë gjërave të tjera që ajo bën.
Por, ajo ka një arsyetim për këtë.
“Në krejt rrugëtimin tim gjithmonë më ka përcjellë një presion i përjashtimit. Kur kam kënduar kam qenë akoma në studime, para se të këndoj kam fotografuar derisa pasi kam diplomuar kam hyrë në rrjedha të profesionit tim”.
“Zakonisht në pozicionet që kam qenë publiku ka kërkuar që të pozicionohem dhe të përcaktohem se cila Elizë jam – a jam Eliza e muzikës apo Eliza e arkitekturës. Tash kjo komplikohet edhe më shumë dhe diskutohet edhe më shumë se pse duhet të jem te pjesa e politikëbërjes”.
“Në sytë e dikujt mund të jetë e tepërt sepse mund të thonë se çfarë dëshiron të bësh me gjithë këto platforma komunikimi dhe veprimi, por ti e kupton që në fakt është një mundësi më shumë, një moment tjetër më shumë bashkë me njerëzit poshtë”.
“Unë flas shumë në idenë e aktivizimit të komunitetit, rimendimit të konceptit të komunitetit, fuqizimit të tij, aspektit të përkatësisë për hapësirën ku jetojmë dhe që Prishtina e vuan për shumë vite me radhë për shkak të dinamikave të shumta që i ka pasë dhe i ka si kryeqendër, në idenë e mungesës të dashurisë për këtë vend sepse të gjithë vijnë prej diku dhe nuk e kuptojnë se Prishtina është e të gjithëve dhe ju takon të gjithëve”.
“Ideja e përjashtimit nuk më ka përcjellë vetëm mua, por e shoh se e ka përcjellë edhe qytetin sepse të gjithë vijnë dhe e përjashtojnë Prishtinën si mundësi për t’i dhënë diçka, por e shohin më shumë si mundësi për të marrë”.
Ajo ka deklaruar se ka dhënë shumë nga vetja për Prishtinën derisa ka shtuar se dashuria e njerëzve për këtë qytet është tjetërsuar.
“Në krejt rrugët dhe punët që i kam bërë mendoj që sado që e kam realizuar veten i kam dhënë këtij vendi shumë dhe kam lënë disa qëndrime që mund të jenë të vyeshme për të rinjtë e tjerë për të kuptuar se pse jemi në këtë gjendje dhe pse nuk kemi bërë më shumë për çështje të ndryshme shoqërore ose hapësinore në këtë vend”.
“Në rrugëtimin tonë të pasluftës ndoshta për shumë arsye, qofshin pozitive ose të tjera, e kemi harruar një emocion kryesor që lidhet me veten dhe kolektivitetin – dashurinë që e kemi pasë për këtë vend – që është përkthyer ndryshe në hapësirë dhe dinamikat në Kosovë”.
“Është e drejtë legjitime e secilit prej nesh që të realizojë ëndrrat dhe interesat e veta në pozicione të caktuara, por jo në dëm të një narrative që e kemi ndërtuar ndër vite dhe kemi pritur me padurim për të kontribuar më shumë për të jetësuar edhe si ide të shtetit por edhe idenë që e ne e kemi në dorë për t’i adresuar brengat tona neë qytet”.
Megjithatë ka shumë njerëz që vazhdojnë të jenë besnik të punës së mirë dhe kontributit, por vërehet pak për shkak të vrazhdësisë në komunikimin në mediat sociale dhe fokusit vetëm te e keqja, sipas Eliza Hoxhës.
“Duhet të kthehemi nga e mira sepse mendoj se ka plot arsye të kthehemi nga e mira edhe në qytet dhe shtet dhe ta shohim të vërtetën në sy – a është kjo Prishtina dhe Kosova që e kemi ideuar dhe ëndërruar?”
“Duhet të bëhemi më të sinqertë me veten për problemet dhe sfidat që i kemi kaluar”.