Emërimet e anëtarëve në KQZ, Thaçit i jepet e drejta nga Kushtetuesja

19:28 | 29 July 2019

Thaҫit i është dhënë e drejta për emërimet e anëtarëve në KQZ-së.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e deputetit Bilall Sherifi, njëherësh edhe shef i deputetëve të Nismës Socialdemokrate dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se vendimet e presidentit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës janë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjykata Kushtetuese, përmes një njoftimi për media, ka bërë me dije se e ka shqyrtuar kërkesën e deputetit Bilall Sherifi, njëherësh edhe shef i deputetëve të Nismës Socialdemokrate dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në lidhje me vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës: Cemajl Kurtisi si anëtar i KQZ-së nga komuniteti boshnjak; Stevan Veselinoviq si anëtar i KQZ-së nga komuniteti serb; Ercan Spat si anëtar i KQZ-së nga komuniteti turk; Alfred Kinolli si anëtar i KQZ-së, si përfaqësues i komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian; si dhe Nazlie Bala, Adnan Rrustemi, Florian Dushi dhe Sami Hamiti si anëtarë të KQZ-së.

“Parashtruesit e kërkesës pretendonin që nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses, derisa bëhet me dije se “kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nënparagrafin 1 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 e 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese”.

Gjykata, njofton se në mbështetje të nenit 113, paragrafi 2 nënparagrafit 1 të Kushtetutës, të neneve 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (a) dhe 67 të Rregullores së punës, vendosi fillimisht të deklarojë si të pranueshme për shqyrtim në merita këtë kërkesë.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimet e Thaçit për emërimin e të mësipërmve “nuk janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës”.

Thaçi e kishte zvarritur çështjen e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, duke thënë se e ka të paqartë se si duhej të vepronte pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, të mbajtura më 2017.

Pas presionit ndërkombëtar ai kishte pyetur kushtetuesen se si do të vepronte, e cila e kishte udhëzuar që nga shqiptarët nga dy kandidatë në KQZ i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dy të tjerë koalicionit parazgjedhor PAN.

Ky koalicion kishte refuzuar të çonte te presidenti emrat e vet, meqë koalicionin e përbënin tri subjekte PDK, AAK dhe Nisma, dhe të tria pretendonin se meritojnë nga një anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kësisoj ato i janë drejtuar sërish Kushtetueses.

Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka 2 anëtarë më pak, por është vlerësuar se edhe pa ta është funksional dhe mund t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme të mundshme.

Komento: