Emërimi i përfaqësuesit special për Kosovën është në duart e BE

14:41 | 18 September 2019

Gjermania po kërkon një përfaqësues special në diagolun, Kosovë-Serbi.

Caktimi i një Përfaqësuesi Special nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Qeveria gjermane e kancelares, Angela Merkel, thotë se është një çështje që i përket Komisionit të BE’së dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, kur do të marrë detyrën e re, shkruan Gazeta Express.

Kështu i kanë thënë Gazetës Express në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Media e Qeverisë Federale.

“Kjo është një çështje për të cilën do të duhet të vendosin Komisioni i BE-së me përbërje të re dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, sapo ta marrë detyrën e re”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë për Gazetën Express.

Sa i përket taksës, ata thonë se qëndrimi tyre është i pandryshueshëm, dhe se Gjermania përkrah heqjen e një vendimi të tillë.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Taksat ndëshkuese e shkelin Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë dhe për këtë arsye, njësoj si BE-ja, Gjermania e përkrah heqjen e taksave ndëshkuese”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë të pyetur për afatet kohore rreth arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga Qeveria Gjermane thonë se përkrahin fuqishëm përpjekjet e BE-së për normalizim të raporteve, dhe thonë se palët duhet të kthehen sa më shpejtë në tryezën e bisedimeve.

“Qeveria federale i përkrah fuqishëm përpjekjet e BE-së për ta promovuar normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Pritjet janë që ky dialog të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur. Kjo gjë është në interesin e të dyja shteteve’, përfundon përgjigja.

Sot gjatë ditës Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Gjermania do ta përcaktojë të Dërguarin Special të BE’së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë në mediat serbe ka pasur raportime që holandezja Angelika Einchorst do të jetë Përfaqësuesja Special e BE’së për dialogun, duke qenë se ka një përvojë të gjatë në institucionet e BE’së dhe e njeh mirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Idenë që edhe Bashkimi Evropian të caktonte një përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi e kishte dhënë në Prishtinë, deputeti i CDU/CSU, Peter Beyer, gjatë vizitës së tij në Prishtinë para pak ditësh.

Këtë deklaratë ai e kishte dhënë teksa kishte folur për vendimin e Sekretarit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si Perfaqësues Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë senatori amerikan, Chris Murphy, në një shkrim të publikuar dje në të cilin kishte përshkruar vizitën e tij në Prishtinë, kishte treguar se krerët e shtetit kosovarë i ishin ankuar se mospajtimet mes BE-së dhe SHBA’së po shkaktojnë probleme për sigurinë e rajonit.

Murphy ka treguar se ata madje kanë thënë se tashmë nuk dinë se kë të dëgjojnë për atë se si duhet vazhduar dialogu, Bashkimin Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë se të dy palët japin ide të ndryshme për rrugën që duhet ndjekur./

Komento: