Emilija Rexhepi deklarohet për vendimin e Kushtetueses rreth nënkryetarit të Kuvendit: E respektoj

16:56 | 05 Shkurt 2026
emilija-rexhepi-deklarohet-per-vendimin-e-kushtetueses-rreth-nenkryetarit-te-kuvendit:-e-respektoj

Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi e cila vjen nga Partia e Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak,  ka thënë se do ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë Listës Serbe që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb. Por, bëri të ditur se nuk kanë vendosur ende se a do të kenë votë për kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar  të Kuvendit. 

“Unë, si deputete vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, tha Rexhepi.

Rexhepi, preferon që sërish procesi i votimit për nënkryetar të Kuvendit të bëhet ndaras.

“Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç.”, tha Rexhepi./RTV21

Komento: