Emiratet e Bashkuara do të ndalojnë rrjetet sociale për të miturit

14:30 | 18 Qershor 2026
emiratet-e-bashkuara-do-te-ndalojne-rrjetet-sociale-per-te-miturit

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të enjten (18 qershor), se do të ndalojnë mediat sociale për personat nën 15 vjeç, duke ndjekur hapat e vendeve të tjera si Australia, Britania e Madhe dhe Kanadaja.

Në këtë vendim, të raportuar nga agjencia zyrtare e lajmeve WAM, qeveria “vendos moshën minimale për përdorimin e mediave sociale në 15 vjeç”.

“Fëmijëve nën këtë moshë nuk u lejohet të krijojnë, përdorin ose menaxhojnë llogari personale në platformat e mediave sociale”.

Pa specifikuar një datë përfundimtare për ndalimin, qeveria njoftoi një periudhë tranzicioni një-vjeçare për të lejuar rrjetet të përmbushin kërkesat dhe bëri thirrje për zbatimin e teknikave “efektive dhe të besueshme” të verifikimit të moshës për të parandaluar çdo “anashkalim”.

“Pëlqimi prindëror nuk përbën një përjashtim të vlefshëm”, shtoi ajo. Adoleshentët e moshës 15 deri në 16 vjeç do të jenë në gjendje t’i përdorin këto platforma “në varësi të masave të përforcuara të mbrojtjes të aplikuara në llogaritë e tyre”.

Autoritetet e Emirateve rezervojnë të drejtën për të bllokuar pjesërisht ose plotësisht platformat që nuk i përmbushin kërkesat.

Australia ka ndaluar mediat sociale për personat nën 16 vjeç që nga fundi i vitit 2025, ashtu si edhe kohët e fundit vende si Indonezia dhe Malajzia. Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë njoftuar qëllimin e tyre për të zbatuar masa të ngjashme, dhe në Francë, një projektligj po debatohet aktualisht në Parlament.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë në botën arabe që ndërmerr një hap të tillë. Ata e justifikojnë këtë duke përmendur shqetësime që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve, ngacmimin kibernetik dhe mungesën e aktivitetit fizik, si dhe grabitqarët online dhe sjelljet që krijojnë varësi.

Kritikët e masave të tilla argumentojnë se ato janë të vështira për t’u zbatuar, i privojnë fëmijët nga lidhjet sociale dhe mund të inkurajojnë praktika të padëshirueshme në hapësira dixhitale më private ku monitorimi është i vështirë. Vendimi i Emirateve të Bashkuara Arabe është “në përputhje me trendet kryesore globale në mbrojtjen e fëmijëve në mjedisin dixhital”, vëren agjencia e lajmeve WAM. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë legjislacion të rreptë kundër përhapjes së “thashethemeve” online. Gjatë luftës në Lindjen e Mesme, qindra njerëz u arrestuan për ndarjen e imazheve të sulmeve.

Komento: