
Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka lëshuar një alarm emergjence në mbarë vendin, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme nga raketat dhe duke u bërë thirrje banorëve që të kërkojnë menjëherë strehim në ndërtesat e sigurta që i kanë më afër.
Banorët gjithashtu janë këshilluar që të qëndrojnë larg dritareve, dyerve dhe zonave të hapura. Kjo këshillë vjen rreth një orë pasi Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara tha se ishte duke iu përgjigjur rreziqeve nga raketat e dronët nga Irani që ishin në ardhje, raporton televizioni BBC.
Më herët, Emiratet e Bashkuara thanë se kishin penguar gjashtë raketa e 131 dronë nga Irani të enjten, ndërsa një raketë e gjashtë dronë kishin rënë në territorin e vendit.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tha se i ka pezulluar operacionet në qendrën e saj globale të emergjencave në Dubai për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se operacionet në qendër tani për tani janë pezulluar për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë.
Vitin e kaluar, në këtë qendër ishin procesuar më shumë se 500 urdhra emergjentë për 75 shtete në pjesë të ndryshme të botës, sipas zonjës Hanan Balkhy, drejtoreshë rajonale e OBSh-së për Mesdheun Lindor.
OBSh-ja tha se operacionet e qendrës së emergjencave në Dubai janë “përkohësisht të pezulluara për shkak të pasigurisë, mbylljeve të hapësirës ajrore dhe kufizimeve që e prekin qasjen në Ngushticën e Hormuzit”./Nacionale