Emisari britanik: Të dy palët duhet t’i përmbushin obligimet e dialogut, përfshirë Asociacionin

10:30 | 18 Janar 2023

Peach: Të dy palët duhet t’i përmbushin obligimet e dialogut, përfshirë Asociacionin.

I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se as Kosova dhe as Serbia nuk duhet ta shohin zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese si koncesion apo kërcënim për pozicionin e tyre, por si pjesëmarrje konstruktive dhe të përgjegjshme në dialog.

Peach ka bërë të ditur për Kuririn se të dyja palët duhet t’i përmbushin të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut dhe shtoi se një prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i përmbushin obligimet e tyre të marra gjatë dialogut. Asociacioni është një nga ato elemente të paplotësuara, por nuk duhet të pengojë zbatimin e të tjerëve”, tha ai.

Ai tha se pret një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovws dhe Serbisw “si dy vende fqinje”, duke theksuar se të dyja palët kanë obligim ndaj qytetarëve të tyre që të vazhdojnë bisedimet dhe të punojnë në hapa praktik drejt normalizimit.

“Gjëja më e rëndësishme është që kjo marrëveshje të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të sjellë përfitime afatgjata për ta, si dhe për të gjithë rajonin. Është në dorën e liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të bien dakord për formatin dhe përmbajtjen e saktë të asaj marrëveshjeje”, tha i dërguari britanik, duke shtuarse për një marrëveshje të qëndrueshme nevojiten “vullnet dhe guxim politik”.

Komento: