Ende nuk dihet nëse Nasim Haradinaj është transferuar për në Hagë

10:25 | 26 Shtator 2020

Në OVL-UÇK nuk e dinë ende nëse Nasim Haradinaj është transferuar për në Hagë.

Dje oficerët e EULEX-it kanë kryer bastisje në zyrat e OVL-UÇK-së, teksa e arrestuan kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinaj.

Gucati është transferuar për në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa Haradinaj dyshohet se ndodhet akoma në selinë e EULEX-it, në Fushë Kosovë.

Në një prononcim për Indeksonline, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se besojnë që Nasim Haradinaj ndodhet në Kosovë.

Ai tha që s’kanë informacion lidhur me transferimin e tij në Hagë.

“S’kemi informacion që është transferu në Hagë, po besojmë qe ende është këtu, në EULEX në Kosovë”, tha shkurt Jashari.

Mbrëmë avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi ka thënë se procesi i bastisjes ka zgjatur rreth 10 orë, ndërsa oficerët e EULEX-it morën me vete shtëpizat e kompjuterëve dhe modemin e pamjeve të incizimeve që janë bërë tri javë më herët.

Mbrëmë, Gjykata Speciale ka bërë publike fletarrestimin për Gucatin duke thënë se ky i fundit nuk kishte penguar nënkryetarin e OVL-së Nasim Haradinaj kur ka përmendur emra të dëshmitarëve të caktuar potencial.

Në pikën e dytë të këtij fletarrestimi thuhet se Gucati me anë të publikimit të këtyre informacioneve ka vënë në rrezik dëshmitarët potencialë.

Pika e tretë flet se Gucati ka bërë shkelje të procedurave sekrete të Dhomave të Specializuara në konferencat e mbajtura më 7, 16 dhe 22 shtator duke njoftuar publikun për dokumente jopublike dhe konfidenciale.

Edhe pika e katërt dhe e pestë e këtij fletarrestimi kanë të bëjnë me konferencat e mbajtura nga Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj, në anën tjetër pika e fundit e fletarrestimit thotë se ndalimi dhe arrestimi i tij ishte i nevojshëm.

Komento: