Ende nuk është konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit e Veselit – flasin nga Dhomat e Specializuara

21:18 | 01 Nëntor 2020

Ende nuk është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

As për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn aktualisht nuk ka të planifikuar ndonjë seancë.

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë njoftuar ende, nëse aktakuza për krime lufte ndaj të parit të shteti e kreut të PDK-së është konfirmuar apo hedhur poshtë.
E si duket, edhe pas disa ditësh pasi afati ka skaduar, nuk ka asnjë të re në lidhje me këtë çështje.

Së paku, kështu kanë deklaruar nga Dhomat e Specializuara, të cilët thonë se nuk as një të re në lidhje me aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit.

“Nuk ka asnjë azhurnim në këtë kohë në lidhje me akuzën referuar në deklaratën e Prokurorit të Specializuara, të 24 qershorit. Në qoftë se dhe derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Detajet në lidhje me një aktakuzë, nëse ajo konfirmohet, do të ishin në dispozicion kur një aktakuzë të bëhet publike, së bashku me çdo ndryshim të nevojshëm, jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit.”

Pos kësaj, T7 ka pyetur Dhomat e Specializuara, edhe rreth situatës juridike të krerëve të Ovl e UCK-së.

Koordinatori për informim i Dhomave të Specializuara ka thënë se aktualisht nuk ka të planifikuar ndonjë seancë.

Ndërsa ka shtuar se, i takon gjykatësit të procedurës paraprake, që të vendos për mocionet e ngritura nga mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Aktualisht nuk ka seanca të planifikuara publike për z. Haradinaj dhe z. Gucati. Nasim Haradinaj kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar para Gjykatësit më 29 Shtator 2020 dhe Hysni Gucati kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar në 1 Tetor 2020. Gjatë këtyre seancave, Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të jepte ndonjë indikacion për hapat e ardhshëm procedural , përfshirë edhe kur Prokurori planifikon të ngritë aktakuza, duke pasur parasysh që Gjykatësi priste që procesi gjyqësor të ishte i drejtë dhe i shpejtë. Në të dy seancat, mbrojtësi ka ngritur propozime, duke përfshirë akuzat që do të hiqen dhe që të dyshuarit të lirohen. Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të paraqesë përgjigjen e tyre ndaj këtyre propozimeve. Tani i takon gjyqtarit të vendosë për këto mocione.”

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, si dhe disa personave të tjerë, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Komento: