Ende ka shumë kosovarë të ngujuar në kampet e Sirisë.
Rreth dy javë më parë, nëpërmjet Turqisë me aeroplan, i cili mbante flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë u kthyen 110 shtetas kosovarë që ishin në zonën e konfliktit në Siri.
Pos të kthyerve, nëpër kampet siriane janë edhe një numër i konsiderueshëm i kosovarëve të cilët kanë mbetur ende të ngujuar në zonën e luftës.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për rreth 65 persona shumica prej të cilëve burra, derisa institucionet kanë bërë të ditur se nuk kanë arritur që t’i kthejnë edhe atë pjesë.
Lajmi ka kontaktuar me ministrinë e Punëve të Brendshme për t’i pyetur nëse ka filluar ndonjë operacion konkret për ta.
Zëvendësministri i punëve të brendshme, Isa Xhemajlaj për lajmi.net tha, se janë në kontakt me vendet partnere që të bëhet një zgjidhje për pjesën e mbetur në Siri.
“Po, tani për tani ende jemi duke u marrë me pjesën e kthyer. Jemi në kontakt edhe me vendet tjera me pa mundësitë dhe cila do të jetë zgjidhja. Jemi duke punuar me institucione të bëjmë zgjidhje edhe për pjesën tjetër”, tha Xhemajlaj.
Sipas tij, operacionet për tërheqjen e kosovarëve nga kampet në zonën e luftës në Siri kryhen në bashkëpunim me vendet partnere dhe nuk varet vetëm nga vullneti i institucioneve.
“Kjo varet edhe nga shtetet që jemi partnerë me ta. Kjo kryhet në mënyrë trelaterale. Pra është operacion që kryhet nëpërmjet tre-katër vendeve. Nuk varët vetëm nga dëshira dhe vullneti ynë”, tha Xhemajlaj.
Në fund, Xhemajlaj ka thënë se kapacitetet e shtetit të Kosovës janë të kufizuara për të arritur deri në zonën e luftës dhe për t’i tërhequr bashkatdhetarët, por kjo do të bëhet përmes partnerëve.
“Kapacitetet tona janë të kufizuara për të arritur deri atje që t’i organizojmë dhe t’i tërheqim. Kjo bëhet përmes partnerëve dhe organizatave të ndryshme që të marrim të dhëna të sakta dhe të koordinohen format e veprimit”, theksoi Xhemajlaj.
Vlen të theksohet se pas kthimit të 110 shtetasve kosovarë nga Siria, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur se do të përballen me ligjin të gjithë që kanë qenë pjesë e grupeve terroriste dhe kanë marrë pjesë aktivisht në luftë.
Nga 110 personat e kthyer, shumica e tyre janë fëmijë, saktësisht 74, ndërsa në pjesën tjetër janë 32 gra dhe 4 burra.
Për 4 burrat e kthyer nga Siria dhe për 12 gra janë filluar hetimet ligjore ndërsa u është caktuar edhe masë e paraburgimit.
Gjithashtu, për pjesën tjetër të të kthyerve është premtuar përkujdesje e veçantë për riatdhesimin dhe risocializimin e tyre.
Në luftën e Sirisë, ka pasur edhe pjesëmarrës nga Kosova të cilët janë vrarë gjatë luftës së ashpër atje.