Luis Enrique: Largimi i Neymarit i bën krejt palët të lumtura.
Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique e ka mbajtur sot një konferencë për shtyp para ndeshjes me Toulousen, ndërsa foli edhe për largimin e Neymarit.
Trajneri spanjoll thotë se me këtë rast të gjitha palët ishin të lumtura, ndërsa ylli brazilian përfundoi në Al Hilal.
“Mendoj se ishte një vendim që i bën të gjithë të kënaqur dhe të lumtur. Dua ta falënderoj për sjelljen që e kishte që nga dita kur kam ardhur. Është një lojtar i klasit botëror dhe ia uroj më të mirat në vazhdim të karrierës së tij”, u shpreh ish-trajneri i Barcelonës.
Luis Enrique i mirëpriti në ekip edhe Kylian Mbappen dhe Ousmane Dembelen, në të cilët llogarit në sezonin e ardhshëm.
Gjithashtu, trajneri i ri i PSG-së zbulon se lojtarët i kanë zgjedhur katër kapitenët, derisa nuk e përmendi ndonjë emër.
Por, mediat franceze raportojnë se si kapiten i parë është konfirmuar qendërmbrojtësi Marquinhos.