Vazhdohet marrëveshja që mban Kosovën të pavarur nga rrjeti serb i transmisionit të energjisë.
Rrjeti Evropian i Operatorëve të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E) ka vendosur sot të vazhdojë marrëveshjen me ndërmarrjen kosovare, KOSTT, për vazhdimin e marrëveshjes që e mban Kosovën të pavarur nga rrjeti serb i transmisionit të energjisë.
Lajmin e ka bërë të ditur sot kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti përmes një postimi.
“Pas kalimit të afatit 2 vjeçar të marrëveshjes së kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, sot 23 TSO nënshkruese të kësaj marrëveshje pas një procesi 20 ditor votuan PRO vazhdimit të saj. Duke konfirmuar edhe një herë se KOSTT sh.a. edhe përkundër te gjitha sfidave me të cilat është ballafaquar gjatë kësaj periudhe ja doli mbanë të jetë i pavaruar nga rrjeti interkonektiv i Serbisë dhe partner i besueshëm edhe i fuqishëm në kuadër të Bllokut Energjetik Kosovë Shqipëri”.
“KOSTT është ballafaquar me kriza të mëdha financiare te cilat ishin si rrjedhoje e krizës energjetike gjatë vitit 2021 dhe 2022. Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtar si: Ambasadën Amerikane në Kosovë, Ambasadën Gjermane në Kosovë, USAID, KfW si dhe miqtë tjerë ndërkombëtar”.
“Bordi i Drejtorëve të KOSTT falenderon të gjithe punonjesit dhe Menaxhmentin e KOSTT për punën dhe perkushtimin”.