Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se ekipi negociator më në krye me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin s’mund të nënshkruaj kurrfarë marrëveshje me Serbinë, pasi që nuk i i lejon Kushtetuta.
Hasani, thotë se ekipi negociator që është caktuar për bisedimet me Serbinë, i përbërë nga Hashim Thaçi, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, nuk mund të nënshkruaj asnjë marrëveshje Kosovë-Serbi, pasi sipas tij ata nuk e kanë marrë bekimin e shumicës absolute të Kuvendit për të bërë diçka të tillë.
Hasani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë thotë se nëse nënshkruhet ndonjë marrëveshje me Serbinë nga ky grup uniteti, atëherë diçka e tillë do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“…nuk janë mandatuar nga Kuvendi që ta nënshkruajnë dhe ta bëjnë (marrëveshjen), sepse nuk mund ta bëjnë këta. Për nënshkrim duhet mandat i veçantë i Kuvendit, për lidhjen e marrëveshjeve për nenin 18.1 (të Kushtetutës).
Këta janë mandatuar që të negociojnë, të bisedojnë me Serbinë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit kushtetues dhe territorial të Kosovës. Kaq. Për nënshkrim të një marrëveshjeje, është çështje dhe vendim tjetër dhe jo vetëm për këtë grup, por edhe për çfarëdo subjekti tjetër që mund të autorizohet.
Nuk mund të nënshkruhet asgjë, nuk mund të arrihet marrëveshja me këtë format të ekipit që është përcaktuar”, ka thënë Hasani.