Enver Hasani: Modeli i dy Gjermanive është katastrofal për Kosovën

22:27 | 24 October 2022

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka folur për modelet që mund të merren për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hasani, duke folur për modelin e shumëpërfolur të dy Gjermanive, ka thënë se ky do të ishte një model katastrofal për Kosovën.

“Modeli i dy Gjermanive është katastrofë sepse në fund Gjermani është bashkuar”, ka deklaruar ai.

Hasani ka thënë se ky model ka funksionuar në kohën e Luftës së Ftohtë, por jo tani, dhe sipas tij, ky model do ta prishte shtetësinë e Kosovës.

“Domethënë këto janë cështje që janë dhënë si modele për t’i shtyrë proceset përpara por mund ta prish shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Hasani ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka marr dimension tjetër, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se tani ky dialog është shndërruar në një mision për menaxhim të krizës nga BE.

“Kemi të bëjmë dialog gjithëpërfshirës, por jo përfundimtar, për çështje të cilat janë të hapura nga 2011. Gjermania e Franca e kanë mandat nga Evropa me bë këtë. Dialogu është menaxhim i krizës dhe e ka marrë këtë dimension për shkak të luftës në Ukrainë”, ka thënë ai për T7.

Komento: