Enver Hasani: Njohja de facto i shkon në favor Serbisë

13:06 | 18 Shkurt 2023

Hasani: Njohja de facto i shkon në favor Serbisë.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se njohja de facto në planin franko-gjerman shkon krejt në favor të Serbisë, në rast të nënshkrimit të një marrëveshjeje, e cila sipas tij nuk do t’i ndalte përpjekjet e Beogradit për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetutese tha në një intervistë për Gazetën Express se kjo qasje është “e rrezikshme dhe e pavend”. Hasani thotë se njohja de facto nënkupton që “një entitet territorial njihet si shtet përkohësisht dhe për arsye pragmatike”. Sipas tij, kjo do ta përligjte sovranitetin serb ndaj Kosovës.

Për këtë arsye, Hasani thotë se me planin franko-gjerman “shansat janë zero” që pavarësia e Kosovës të njihet nga pesë vendet e Bashkimit Europian që ende s’e kanë bërë këtë. Ai tha se njohja nga Serbia “është e domosdoshme” për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si anëtare e barabartë e saj.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB, Hasani thotë se mund të ndodhë vetëm nëse aleatët arrijnë marrëveshje me rusët për ndonjë çështje globale gjeostrategjike. Kina, sipas tij, “mund të abstenojë”.

“Këtu ndër ne po thuhet se ky plan ka njohjen de facto brenda. Më lejoni të sqaroj sa e rrezikshme dhe e pa vend është kjo qasje, në fakt sa i shumë i shkon në favor Serbisë. Esenca e njohjes de facto është kjo: me këtë njohje, një entitet territorial njihet si shtet përkohësisht dhe për arsye pragmatike nga një tjetër ose nga disa të tjerë; kjo njohje mund të tërhiqet kurdo që njohësi dëshiron dhe kjo ndikon në titullin juridik apo tapinë e sovranitetit mbi territorin e çnjohur në ndërkohë; kjo është kështu sepse te njohja de facto nuk njihet e drejta, por ajo që shihet, përkatësisht pala e njohur konsiderohet si kaçak, ilegal dhe uzurpues i titullit apo tapisë mbi sovranitetin territorial. Ja, kjo është esenca e atyre që mendojnë se njohja de facto është brenda dhe na shkon për shtati: dmth Kosova është një entitet territorial faktik, që është formuar pa të drejtë dhe kurdo mund të zhbëhet sepse nuk gëzon mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar. Për këtë arsye shanset janë zero që vendet, ta zëmë, si Spanja ose Qipro, ndonjëherë ta njohin Kosovën. Nëse Greqia na njeh, apo vendet tjera, ato do t’na njohin për arsye të tjera por jo për shkak se ne arritëm marrëveshje provizore me Serbinë, siç propozohet me planin franko-gjerman”, thotë Hasani.

Komento: