Enver Hoxhaj ‘godet’ Behgjet Pacollin: Nuk ke strategji për diplomaci

15:43 | 17 September 2019

Enver Hoxhaj ia thotë troç Behgjet Pacollit: Mos u merr me diplomaci, as nuk di, as s’ke strategji.

Zëvendëskryeministrit në dorëheqje dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, nuk i ka pëlqyer fare fakti që kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, në emisionin DPT te Fidani, e ka krahasuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqin.

Hoxhaj përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare ka thënë se Pacolli është njeriu i fundit në Kosovë që duhet të merret me diplomaci, pasi siç thotë Hoxhaj, Pacolli si ministër i Jashtëm e ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Pacolli është i paaftë që të merret me diplomaci.

“Pacolli është njeriu i fundit në Kosovë që duhet të merret me politikë të jashtme. Duke tentuar që paaftësinë e tij në diplomaci ta mbulojë me diskurs të ulët, jo vetëm që po tregon sa pak kredibiltet ka, por fatkeqësisht po e dëmton edhe kredibilitetin e shtetit të Kosovës. Unë kam lënë Ministrinë e Jashtme me 114 njohje. Me Pacollin si ministër, vihet në pikëpyetje njohja nga një numër dyshifror i shteteve. Mosdija dhe mungesa e strategjisë nga Ministri Pacolli për të vepruar kanë bërë fushatën e Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës shumë më lehtë të realizueshme”, ka shkruar Hoxhaj.

Ministri i Punëve të Jashtme në dorëheqje, Behgjet Pacolli, në emisionin e së hënë tek DPT te Fidani, ka thënë se kur e ka dergjuar Enver Hoxhajn të flas për rrezikun e tërheqjes së disa njohjeve për Kosovën, i është dukur sikur po e dëgjon Ivica Daçiqin.

“Mu duk sikur e dëgjoja Daçiqin”, ka thënë Pacolli në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7. “Po më vjen keq…”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera Pacolli ka thënë se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve.

“Nuk ka tërheqje të njohjeve ashtu siç pretendohet”, ka këmbëngulur Pacolli.

Komento: