Enver Hoxhaj kërkon që Qeveria të sqarojë pretendimet për heqjen e njohjeve: Përgjegjësi mbajnë Osmani, Kurti dhe Gërvalla

19:53 | 05 Janar 2023

Hoxhaj: Qeveria të sqarojë pretendimet për heqjen e njohjeve, përgjegjësi mbajnë Osmani, Kurti dhe Gërvalla.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria duhet të sqarojë pretendimet për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës, dhe nëse këto pretendime dalin të jenë të vërteta, Hoxhaj thotë se përgjegjësi mbajnë Presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme.

Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se një kaos qëndrimesh, kërcënimesh dhe gabimesh i një politike të jashtme shterpe tregojnë që Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim!

“Për dy vjet, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të vetme! Përkundrazi, Serbia është duke e goditur kudo Kosovën. Nga goditja kundër sovranitetit të brendshëm në veri në fundvit tani po i shtohet edhe rrudhja e sovranitetit të jashtëm në fillimvit, me një listë pretendimesh për çnjohje të Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai, tutje ka thënë se sa ishte ministër i jashtëm zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete, ndërsa sot, Hoxhaj thotë se qeveria duhet te sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet se Kosovës i janë hequr disa njohje!

“Ka të bjë me interesin vital të Kosovës që të tregohet nëse këto pretendime janë të vërteta dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme për këtë dështim!”, ka shkruar Hoxhaj.

Komento: