Enver Hoxhaj: Nuk përkrahim kandidat për president që thellon përçarje dhe e izolon Kosovën

11:02 | 09 Dhjetor 2020

I pari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se kjo parti nuk shantazhet dhe nuk lejon që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës.

Ai tha se janë të gatshëm që të ulen dhe të bisedojnë me çdo parti politike parlamentare që të tejkalohet kriza institucionale dhe të zgjedhet një president dinjitoz.

Sipas Hoxhës, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai shtoi se barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj.

Ky reagim i Hoxhajt erdhi pas deklarimit të AAK-së që Ramush Haradinaj do të duhej të zgjidhej President i Kosovës.

Komento: