Era zgjedhje, PZAP ‘selam’ partive që nuk i kanë paguar borxhet

14:36 | 23 Korrik 2019

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Të gatshme për zgjedhje të parakohshme janë shprehu edhe partitë e mëdha politike në vend, shkruan ORAinfo.

Madje ato tashmw i kanë shlyer edhe gjobat që i kanë pasur nga zgjedhjet e fundit ndaj Panelit Zgjedhur për Ankesa dhe Parashtresa.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it në një përgjigje për ORAinfo, thotë se partitë e mëdha i kanë shlyer të gjitha gjobat ndaj këtij organi. Sipas tij, janë dy parti politike të cilat i kanë mbetur borxh PZAP-së. Borxhi i tyre kap vlerën e rreth 6 mijë eurove.

“Në Zgjedhjet Lokale të 22 Tetorit 2017 në të dy raundet, PZAP-i ka shqiptuar gjoba prej 257 mijë e 350 euro, deri me tani janë paguar gjithsejte 251 mijë e 450 euro. Kanë mbetur të papaguara edhe 5 mijë e 900 euro”, thuhet në përgjigjen e Deskut për ORAinfo.

Sipas tij, subjekti politik ALTERNATIVA ka qenë e gjobitur me 15 mijë 450 euro dhe deri me tani ka paguar 11 mijë e 750 euro, ndërsa pjesën tjetër të borxhit në shume prej 3 mijë e 700 euro do ta paguaj në këste sipas një marrëveshje/ujdie të arritur në mes të PZAP-it dhe subjektit politik Alternativa.

“Subjekti politik KTAP është gjobitur me 2 mijë e 200 euro dhe ende nuk i ka paguar gjobat”, ka njoftuar Desku.

Sipas tij, PZAP-i në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjet tjera te aplikueshme të Republikës se Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet procedurale për inkasimin/Përmbarimin e këtij borxhi nga subjekti politik në fjalë.

Desku thotë se subjekt politike të cilat janë gjobitur nga PZAP-i dhe nuk i paguajnë gjobat, nuk do të mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. /ORAinfo/

Komento: