“Erdha për 10 minuta”, i riu i hyn dajak mjeshtrit të ujit që e gënjente

11:35 | 06 April 2022

Një punëtor hidraulik u rrah në mes të një kafeneje në kryeqytet nga një i ri, që mbasi e priti gjatë që t’i rregullonte rubinetin e çezmës, shkoi në vendin ku burri po pinte kafe dhe pa pyetur aspak e grushtoi në fytyrë.

Kjo ngjarje ka vënë në lëvizje komisariatin numër 2, bënë me dije burimet, pasi shtetasi B.X e la kafenë në mes kur e rrahën, por me qëllimin që t’i tregonte policisë se çfarë i kishte ndodhur. Emri i të denoncuarit ishte një qytetar që kishte orë që e priste që ai t’i rregullonte çezmën, por 47 vjeçari e kishte lënë ta priste, pasi kishte takuar një mik dhe nuk e linte dot vetëm të njohurin e tij.

Ngjarja në fjalë më ka ndodhur në rrugën “Medar Shtylla”, pasi aty punoj prej vitesh dhe ishte ora 9.15 minuta. U ula për të pirë një kafe kur më vjen në mes të lokalit, ky person dhe pa më thënë asnjë fjalë më godet me grusht”,- e nis rrëfimin e tij denoncuesi që punon hidraulik.

I pyetur se çfarë konflikti kishte më të riun, hidrauliku u përgjigj: “Ai më tha a po vjen të më rregullosh çezmën që kam tek shtëpia, unë i thashë po do vij”.

“Pastaj më mori në telefon dhe më tha pse gënjen, pse nuk po vjen dhe filloi duke më sharë e ofenduar. U mundova ta sqaroj se më kishte ardhur një mik nga Anglia dhe se nuk shkoja dot, por ai më ofendoi. Pastaj erdhi aty ku po pija kafe dhe me goditi, por ndërhynë persona të tjerë në kafene dhe u largua. Pastaj u kthye përsëri dhe më tha, “do të vras”,-shton më tej hidrauliku.

Policia i bën me dije se thirri menjëherë të denoncuarin që është qytetari me inicialet K.M. Ai tregoi se e humbi qetësinë nga mungesa e korrektesës së hidraulikut, që kishte dhjetë ditë që premtonte se do vonohej vetëm dhjetë minuta, por që duke e mbajtur me premtime, nuk kishte shkuar ta sistemonte defektin në banesën e tyre.

“Nëna ime kishte komunikuar me këtë person për problemin e çezmës së ujit. Ky person i kishte thënë që do shkonte, por kishte 10 ditë që i thoshte vonohem 10 minuta. Ndërkohë, çezma rridhte dhe uji ishte kthyer problem. Sot kur po shkoja tek shtëpia e nënës, e pashë këtë person të ulur në kafe duke bërë muhabet. I thashë pse nuk vjen ta rregullosh dhe më tha edhe mua do vij për dhjetë minuta”, shpjegon ai.

I denoncuari këmbëngul se kishte shkuar në banesën e të ëmës dhe kur koha kalonte dhe hidrauliku nuk po vinte, ai pa që kishte kaluar më tepër se një orë duke pritur.

“E telefonova dhe mu përgjigj, më prit po deshe se më ka ardhur një shok nga Anglia. E pyeta se ku ishte dhe më tha: “Jam tek lokali”. Shkova në lokal dhe i kërkova llogari, i thashë pse tallesh me mua, ne të presim dhe ti po pi raki? E kam ofenduar”, pranon ky person sipas burimeve të Gazetasi.al.

Por ai jep versionin e tij duke kujtuar se hidrauliku e kapi për fyti dhe në këto çaste ai e humbi qetësinë.

“Isha i mërzitur sepse ky person prej dhjetë ditësh gënjeu nënën time, uji rrjedh dhe problemi ishte i pazgjidhur. Më gënjeu dhe u tall dhe me mua, ndërsa unë po e prisja lart ai rrinte në kafene”, këmbëngul djali që pavarësisht deklaratës dhe versionit të tij pritet të referohet për dëmtime me dashje.

Fati i tij sipas policisë varet tanimë vetëm nga hidrauliku i cili në rast se tërhiqet nga denoncimi, mund ta zbusë pozitën e të riut.

Policia thotë se i riu e zgjidhi problemin me çezmën tek një specialist tjetër, por tashmë i është hapur problem me drejtësinë nga një qytetar, i cili nëse nuk ka marrë një mësim për të respektuar kohën e tjetrit dhe për të qenë korrekt, së paku tregoi se mund të çohet nga kafeneja dhe të bëjë diçka ndryshe.

Komento: