Erërat e forta shkaktuan dëme në Prishtinë, Lulzim Fushtica: Janë realizuar 17 intervenime emergjente

16:30 | 13 Maj 2026
ererat-e-forta-shkaktuan-deme-ne-prishtine,-lulzim-fushtica:-jane-realizuar-17-intervenime-emergjente

Gjatë ditës së martë, Kosova u përball me erëra të forta, ndërsa në Prishtinë pati edhe pasoja materiale si dëmtime kulmesh, rrëzim drunjsh dhe dëmtime në shtylla ndriçimi.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka folur për intervenimet që janë realizuar nga ekipet emergjente gjatë ditës së djeshme. Fushtica   tha se institucionet kanë reaguar menjëherë pas raportimeve për dëmet e shkaktuara nga erërat e forta në kryeqytet.

“Po, dje ashtu siç është edhe paralajmëruar kemi pasur erëra të forta, po flasim për kryeqytetin, me intensitet mesatar por të cilat kanë shkaktuar, të them, dëme në kryeqytet. Gjatë orëve të pasdites, pra nga ora, të them, 12 e tutje deri në orën 19, kemi pasur afër 17 intervenime në kryeqytet, të cilat intervenime janë kryer të gjitha me sukses nga ekipet e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Policisë së Kryeqytetit dhe kompanive, ndërmarrjeve publike të kryeqytetit dhe kompanive që janë të angazhuara për intervenime emergjente. Këtu kryesisht kemi pasur raste në të gjitha pjesët e kryeqytetit: në rrugën “Qmil Hoxha” siç ndoshta e keni parë kemi pasur një dru i cili është rrëzuar si pasojë e erërave; në Dardani kemi pasur dëmtim të kulmit; në Bregun e Diellit kemi pasur dëmtim të kulmeve, të llamarinave, reklamave; disa intervenime kemi pasur edhe në disa shtylla të ndriçimit dhe shtylla elektrike të cilat janë, të them, janë dëmtuar gjatë kësaj kohe. Për fat të mirë nuk kemi pasur të lënduar në njerëz. Dëmet materiale nuk janë shumë të mëdha, por janë të konsiderueshme dhe në ditët në vijim ekipet përkatëse do të bëjnë vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar, por prapë mund të them që nuk janë të konsiderueshme, janë dëme të vogla të cilat do të sanohen shumë shpejt”, tha ai.

Ai theksoi se institucionet janë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës dhe se aktualisht nuk ka paralajmërime për erëra të reja të forta.

“Jo, nuk kemi për momentin. Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të them çdo herë me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës që marrim informata, të them informata zyrtare, dhe në bazë të informatave që marrim nga Instituti edhe ne veprojmë, bëjmë përgatitjet e duhura. Ne edhe më herët, para se të fillojnë erërat, kemi bërë përgatitjet, i kemi pasur të gjitha ekipet në kujdestari, kemi pasur dhe planin operativ se si të reagojmë. Të gjitha këto intervenime që kemi pasur gjatë ditës së djeshme, pra 17, janë kryer me sukses dhe do të vazhdojmë që normalisht të monitorojmë situatën në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante dhe të intervenojmë në çdo rast kur ka nevojë”, tha ai.

Fushtica bëri të ditur se intervenime janë realizuar edhe në disa zona rurale të Prishtinës, përfshirë fshatin Prapashticë.

“Po, kemi pasur intervenime edhe në fshatin Prapashticë, disa shtylla të ndriçimit elektrik janë shkatërruar. Kemi intervenuar bashkë me kompaninë dhe të gjitha rastet tjera i kemi proceduar edhe te KEDS-i, të cilët janë përgjegjës sa i përket aspektit të shtyllave elektrike. Ato që kanë qenë nën menaxhim të institucioneve të kryeqytetit janë kryer nga ne, por kryesisht kanë qenë intervenime në zonat urbane”, u shpreh ai./Ekonomia Online

Komento: