Escobar: Është e bazuar në prova, hetoni Sali Berishën

19:34 | 25 Tetor 2022

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur rreth hetimit që ka ka kërkuar SHBA për Sali Berishës nga institucionet shqiptare.

Escobar tha se vendimi për kreun e Partisë Demokratike u mor pasi u gjet korrupsion.

Ai u bëri thirrje institucioneve të hetojnë mbi të dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë mbi imazhin që përciellin nëse kanë në krye dikë të shpallur për korrupsion.

“ Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, tha zyrtari amerikan.

Eskobar është pyetur më tej edhe për amnistinë fiskale. Ai ka shprehur shqetësimin lidhur me këtë nismë teksa shton se kjo është diskutuar me qeverinë e Shqipërisë.

“Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtatë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standardet globale dhe me kërkesat e BE-së”, tha Escobar.

I pyetur nëse SHBA ka ndonjë qëndrim konkret nëse amnistia fiskale duhet zbatuar apo jo, Escobar u shpreh se do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat.

“Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat”, deklaroi ai.

Komento: