Escobar: Korrupsioni është një problem i madh në Ballkanin Perëndimor

15:07 | 26 Gusht 2023
escobar:-korrupsioni-eshte-nje-problem-i-madh-ne-ballkanin-perendimor

I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se korrupsioni është një problem i madh për të gjithë rajonin dhe për këtë arsye Uashingtoni dëshiron të shohë që rruga evropiane të jetë e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo që mund të them është se për rajonin, për të gjithë rajonin, korrupsioni është një problem i madh. Jam i lumtur që shoh se procesi i anëtarësimit i jep një vend qendror sundimit të ligjit si kusht për hyrjen në BE“, tha Escobar në një video intervistë për portalin maqedonas “360 gradë”.

Ai theksoi se ka edhe një arsye tjetër pse SHBA-të duan të shohin që rruga evropiane të jetë e hapur për të gjitha vendet e rajonit.

“Çdo vend që hyri në BE është më i qëndrueshëm, më demokratik dhe më i avancuar, dhe në të njëjtën kohë më i drejtë në aspektin e drejtësisë për qytetarët e tij. Kjo është një arsye tjetër pse ne duam t’ju shohim në rrugën drejt anëtarësimit në BE,” tha Escobar

I pyetur nëse së shpejti do të ketë emra të rinj nga Maqedonia e Veriut në listën e sanksioneve amerikane, e ashtuquajtura “lista e zezë”, ai u përgjigj se “me siguri do të ketë”.

“Më lejoni të them vetëm se kjo administratë, administrata Biden, është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Sepse korrupsioni është kaq gërryes për shoqëritë. Ne nuk mund të shpallim sanksione, por të jeni të sigurt se do të ketë,” tha Escobar./FrontOnline/

Komento: