Escobar: Mendojmë se Serbia ka pasur disa lidhje me sulmin në Banjskë

21:33 | 15 Mars 2024
escobar:-mendojme-se-serbia-ka-pasur-disa-lidhje-me-sulmin-ne-banjske

I dërguari i Shteteve të Bashkuara Amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shteti i tij po heton për lidhjet e shtetit serb me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Serbia ka pasur disa lidhje me sulmin e grupit të Milan Radoiçiqit më 24 shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës”, ka thënë Escobar.

“Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka theksuar ai.

Agjencia e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në një raport të publikuar të hënën, ka paralajmëruar se mund të ketë një kërcënim në Ballkanin Perëndimor – pra rajoni mund të jetë epiendër e dhunës ndëretnike.

Raporti i referohet ngjarjeve të fundit, si sulmi i armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.

Komento: