Escobar në Sarajevë: Nuk do të ketë luftë, për këtë u pajtuam me të gjithë

14:54 | 08 November 2021

“Gjëja më e rëndësishme për të cilën u pajtuam me të gjithë bashkëbiseduesit, të gjithë jemi dakord që nuk do të ketë luftë dhe mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm që kemi. Nuk është një mesazh që do ta dëgjoni vetëm nga ata liderë që takova sot, është një mesazh që do ta dëgjoni edhe nga liderët e tjerë nga rajoni”, u tha gazetarëve në Sarajevë Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, gjëja e dytë që ka shkuar për ta diskutuar në Bosnjë është potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që e ka Ballkani, duke theksuar se ky rajon është pjesa me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë për momentin, raporton gazeta boshnjake, Avaz.

“Pikërisht për shkak të kësaj rritjeje të pabesueshme ekonomike – edhe pse më lejoni të them se BeH nuk i ndan të gjitha parametrat e asaj rritjeje – por pikërisht për shkak të kësaj rritjeje të madhe në rajon, arsyeja është se Evropa do të ketë nevojë për ju”, tha Escobar.

Prandaj, shtoi ai, “ne duhet të bëjmë dy gjëra – njëra është të sigurojmë që BeH të ndajë ato parametra të rritjes me pjesën tjetër të rajonit dhe tjetra është që Evropa ta njohë potencialin ekonomik që ka ky rajon.”

“Jam plotësisht i bindur se Evropa do ta kuptojë, në një periudhë të arsyeshme kohore, që ju duhet të jeni pjesë e Bashkimit Evropian. Natyrisht, kam biseduar me bashkëbiseduesit e mi për të gjitha këto tema, por është gjithashtu shumë e rëndësishme të theksohet se ajo që duhet të sigurojmë është që Bosnja të mbetet e bashkuar, sovrane, me integritet territorial”, theksoi Escobar.

Ai thotë se është i kënaqur që ka pasur një takim produktiv me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, “ku është e hapur mundësia që të tërhiqen të gjitha ato vendime që kanë të bëjnë me bartjen e kompetencave në mënyrë që të vazhdojmë të punojmë në zhvillimin ekonomik”.

“Sepse kriza politike rrit mungesën e besimit tek investitorët për të investuar këtu”, theksoi Escobar.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, u takua sot në mëngjes në takime të ndara me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, pas takimit me Zëvendësnihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se biseda ka shkuar mirë, raporton gazeta boshnjake.

Dodik tha se as ai dhe as askush tjetër në Republikën Srpska nuk e ka pasur luftën opsion.

Dje, Dodik tha se i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar “ka ardhur kot”, nëse mendon se ai është shkaktari i krizës në Bosnjë.

“Nëse nuk ndryshon optikën dhe shikon faktet që janë të dukshme, atëherë ai vetë do të kontribuojë në atrofinë e vendit, të cilin amerikanët, përmes Përfaqësuesve të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë modeluar të gjitha vitet e mëparshme sipas dëshirës së myslimanëve”, është shprehur Dodik.

Pas bisedës telefonike muajin e kaluar, Dodik kishte thënë se Escobari është “i etur për sanksione”. Ka kohë që përmendet mundësia që Dodik të sanksionohet për bllokimin e punës së institucioneve shtetërore dhe për shpalljen e kalimit të disa kompetencave shtetërore në Republikën Srpskan, duke mos hequr dorë nga qëllimi i tij për ta ndarë Bosnjën.

“Nuk do të ketë luftë të re në BeH”, tha të premten i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, duke akuzuar anëtarin serb të Presidencës së BeH, Millorad Dodik se ka provokuar një krizë për ta mbuluar përfshirjen e tij në korrupsion.

Komento: