Escobar: SHBA mbështet dialogun, ka mbetur vetëm ‘kur dhe si’ palët do t’i zbatojnë detyrimet

19:51 | 04 Nëntor 2023
escobar:-shba-mbeshtet-dialogun,-ka-mbetur-vetem-‘kur-dhe-si’-palet-do-t’i-zbatojne-detyrimet

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha për Zërin e Amerikës dje se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto..

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

Komento: