Escobar thotë se nuk do të ketë luftë në Bosnje dhe Hercegovinë.

19:41 | 05 November 2021

Escobar për REL: Nuk do të ketë luftë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zëvendësndihmëssekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, para vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka thënë se dëshiron t’u dërgojë mesazh qytetarëve të këtij vendi se nuk do të ketë luftë.

“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai do të mbërrijë në Bosnje dhe Hercegocinë më 7 nëntor.

Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe.

Dodik, po ashtu, ka thënë serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe.

Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.

“Kjo është në tryezë. Por, unë dua t’i them popullit të Bosnjës: nuk do të ketë një luftë tjetër, ne, bashkësia ndërkombëtare jemi të bashkuar me partnerët tanë në Evropë dhe ajo që ne duam është të sigurohemi se angazhimet tona për paqen dhe sigurinë e njerëzve në rajon janë plotësuar. Por, sa i takon dobësimit të institucioneve qendrore, do të jem shumë i sinqertë, arsyeja për këtë është në të vërtetë korrupsioni. Ajo që po bën Millorad Dodik është se ai po përpiqet të gjejë rrugë për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e tij”, ka thënë Escobar.

Në këtë intervistë, Escobar ka theksuar se SHBA-ja po punon ngushtë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Komento: