Është në prag të falimentimit, Telekomi shpall tender për furnizim me pijem

16:38 | 05 Mars 2020

Ndonëse është në prag të falimentimit, Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, nuk po i ndal tenderët. Së fundi, kjo ndërmarrje ka shpallë tender për furnizim me pije.

Përmes njoftimit për dhënie të kontratës, Telekomi ka bërë me dije se për këtë çështje planifon të shpenzojë mbi 6 mijë euro.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se furnizimi do të bëhet për 12 muaj.

“Furnizim me pije dhe artikuj tjerë për byfet e Telekomit të Kosoves Sh.A për një periudhë 12muaj”, thuhet në njoftim, raporton Express.

Për këtë tender kanë dorëzuar ofertat e tyre tetë kompani, por që në fund fituese është shpallur “TRADITA TREGTARE “.

Kontrata është dhënë më 24 shkurt, derisa nënshkrimi pritet të bëhet nesër.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet tutje në njopftim.

Ndryshe, ditë më parë, Qeveria Kurti ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit.

Ditën kur u mor vendimi për shkarkim, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, para kabinetit qeveritar bëri me dije se Telekomi është në prag të falimentimit, andaj duhet vepruar.

“Është në gjendje të rëndë financiare dhe operative. Ndodhet në prag të falimentimit. Në këto rrethana si ministre përgjegjëse konstatoj nevojën për veprim të menjëhershëm të Qeverisë. Shkarkohet bordi dhe emërohet bordi i ri”, deklaroi ministrja Hajdari

Arsyeja e shkarkimit ishin shpenzimet e tepërta dhe punësimet e gradimet pa kriter.

“Për të vlerësuar gjendjen është marrë parasysh raporti i auditimit. Qeveria mund t’i shkarkojë drejtorët nëse ndërmarrja për dy vjet nuk përmbush planin. Qeveria konstaton se janë plotësuar kushtet për shkarkimin e drejtorëve, duke pasur parasysh raportin e auditimit. Ata kanë lejuar shpenzime të tepërta, punësime e gradime pa kriter. Ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat financiare për çka duhet të shkarkohen”, tha në mes tjerash kryeministri Albin Kurti.

Përveç që kishin lejuar shpenzime të tepërta e punësime e gradime pa asnjë kriter, shumica e anëtarëve të këtij bordi njihen për lidhje me njerëz të politikës.

Komento: