“Është proces politik, asnjë institucion nuk e ka shpallur dikë veteran të rrejshëm”

12:24 | 28 Janar 2019

Ka dështuar seanca e parë për ‘veteranët e rrejshëm’.

Pas dështimit të seancës për shqyrtimin fillestar për shkak të moskrijimit të kushteve ligjore, i pandehuri Shukri Buja e cilësoi këtë seancë si orkestrim të mirë, por që dirigjenti nuk është parë
Ai tha se ky proces është më shumë politik, sesa që është vërtetuar se ka veteranë të rrejshëm deri më tani, duke shtuar se është banale të thuhet se janë veteranë të rrejshëm.

“Ky proces më shumë është politik sesa që e kanë vërteta që ka ndonjë veteran të rrejshëm. Është diçka banale të thuhet që janë veteranë të rrejshëm. Po shihet se do të zgjasë ky proces. Pjesë e këtij komisioni, unë do të ftoj shumë dëshmitarë, sepse janë diku rreth 800 që vlerësohen si veteranë të rrejshëm. Do t’i ftoj të gjithë që kush ua nënshkroi këto aplikacione. Pra do të përballemi me një proces shumë të gjatë”, tha Buja.

Buja tha se dirigjenti është i pafytyrë, e pjesë të orkestrës i quajti edhe mediat.

“Edhe ju mediat jeni bërë instrument i orkestrës, po ju dirigjojnë. Aktakuza është ngritë me presione, edhe vetë prokurori e di kush ka bërë presion, Gjykata po ju dirigjon”, u shpreh ai.

Ndërkaq kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se nuk kanë faj komandantët, por politika, duke thënë se edhe politikanët janë pjesë e fajit.

“Nuk kanë faj këtu komandantat, këtu kanë faj politika. politika është dashtë të jetë këtu sot bashkë me komandanta. Mirë që seanca ka nis sot, edhe është mire që të ndahet shapi prej sheqerit. Edhe politikanët janë pjesë e fajit”, është shprehur Gucati.

Në mungesë të kushteve ligjore, sipas gjyqtares Nushe Meta, seanca është shtyrë për 14 mars në orën 10:00. Në seancën e sotme ishte paraparë të diskutohej në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, kanë marrë ftesat nga Prokuroria Speciale.

Komento: