Petkoviqi eskalon: Kurti dëshiron ta shfaros familjen e Vuçiqit
Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, e ka rritur dozën e propagandës dhe të dramaticitetit të situatës, ndërsa tha sot se “Kurti kërcënon se do ta shfaros familjen e Vuçiqit”.
Duke iu referuar një liste të publikuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja me emra individësh të cilët ta se qëndrojnë prapa barrikadave në veri dhe për të cilët rekomandoi arrestim, Petkoviq tha ata emra “i ka përpiluar personalisht Albin Kurti”. Sipas tij, në emrat e përmendur përfshihen edhe familjarë të Vuçiqit, përcjell Gazeta Express.
“Ai deputet vetëm e ka publikuar listën”, tha Petkoviq.
“Ajo tregon shkallën e urrejtjes së Kurtit ndaj presidentit Vuçiq… Dhe a kemi dëgjuar një fjalë dënimi, një cicërimë të vetme nga një ambasador perëndimor apo përfaqësues i BE-së që distancohet nga sulmi i Kurtit? Sigurisht që nuk kemi dhe kjo ju tregon gjithë hipokrizinë dhe standardet e dyfishta të komunitetit ndërkombëtar. Thjesht prisnim që ta lëshonin një deklaratë se ‘të dyja palët’ përmbahen nga provokimet, ndërsa Kurti kërcënon se do të shfaros të gjithë familjen Vuçiq”, shtoi kryenegociatori serb në një intervistë për gazetën e nënshtruar nga pushteti i Beogradit, “Kurir”.
Petkoviq e cilësoi si historike kërkesën që Serbia ia bëri KFOR-it për kthimin e trupave serbe në Kosovë.
“Është e qartë se Perëndimi nuk dëshiron të lejojë kthimin e forcave tona të sigurisë në Kosovë, por me një kërkesë të bazuar dhe të argumentuar, presidenti Vuçiq i ka vënë në një situatë shumë të vështirë sepse nuk mund ta gjejnë një justifikim të thjeshtë për refuzimin dhe për këtë arsye jemi dëshmitarë të një zvarritjeje të tillë”, tha ai.