ETEA e quan fushatë dezinformuese debatin për edukimin seksual në shkolla

18:38 | 13 November 2024
etea-e-quan-fushate-dezinformuese-debatin-per-edukimin-seksual-ne-shkolla

Organizata ETEA e ka quajtur fushatë deziunformuese diskutimin e ditëve të fundit rreth përmbajtjes së doracakëve të mësimdhënësve për edukim seksual. Përmes një reagimi publik kjo organizatë i ka quajtur pretendime të pabazuara dhe manipulime të qëllimshme sipas tyre nga individë me peshë publike dhe grupe të interesit që thonë se krijojnë panik në publik dhe pengojnë implementimin e programeve të rëndësishme arsimore.

“Të tilla situata, përveç që dëmtojnë sistemin dhe procesin edukativ dhe arsimor, rrezikojnë shëndetin publik pasi mungesa e informimit të saktë natyrshëm çon në rritje të sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore. Është veçanërisht shqetësuese që persona publik dhe media të caktuara nuk marrin mundin të lexojnë dhe analizojnë objektivisht materialet, por zgjedhin t’i deformojnë ato dhe plasojnë të cunguara, duke pretenduar se po krijohen kushte për abuzim seksual të fëmijëve brenda shkollave të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim publik të ETEA-s.

Kjo organizatë thotë se në pjesë të caktuara të doracakëve përkthimi me gjasë nuk është i duhuri dhe ka probleme logjike me formulim të fjalive, duke lënë kështu hapësirë për keqinterpretim dhe keqpërdorim nga grupet e interesit.

“ Në një shoqëri me ndjeshmëri kulturore dhe të polarizuar në tema të tilla, është jetike që materialet edukative të jenë të përgatitura me kujdes dhe saktësi”.

ETEA ka përshëndetur Ministrinë e Arsimit dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për nismën që thonë se mundëson përfshirjen e lëndës së Edukimit Seksual dhe Shëndetit Riprodhues në sistemin arsimor të Kosovës.

Organizata ETEA konsideron se MAShTI dhe institucionet tjera relevante, për një temë kaq të ndjeshme, duhet të tregojnë vëmendje e veçantë për të parandaluar keqkuptimet.

Ndërkohë i  kanë bërë thirrje ministrisë që të mos tërhiqet nga nisma si rrjedhojë e presionit të grupeve të interesit dhe të angazhohet për përfshirjen e lëndës së Edukimit Seksual dhe Shëndetit Riprodhues në sistemin arsimor të Kosovës.

Organizata ETEA inkurajon MAShTI që të ftojë të gjitha palët e interesit në një dialog të hapur dhe konstruktiv për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta që mundësojnë edukimin seksual të gjeneratave të reja brenda sistemit arsimor të Kosovës.

Komento: