EULEX-i: Nuk kemi marrë përgjegjësi policore në veri – japim këshilla.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bërë të ditur se nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në veri të Kosovës.
Në një deklarim për Klankosova, EULEX ka thënë se ata janë duke dhënë këshilla në Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore.
“Përveç kësaj, Këshilltarja e EULEX-it për Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Këshilltarja e EULEX-it për Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke e monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë”, thuhet në përgjigje.
Ndër tjera, thuhet se Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NjPS), e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, ka shtuar më tej patrullimet mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore për informim të shtuar të saj rreth situatës.
“NjPS, e cila është e stacionuar në Mitrovicë, është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX është reaguesi i dytë i sigurisë, dhe NATO/KFOR reaguesi i tretë i sigurisë. Si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës, EULEX-i mbanë koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, përkatësisht reaguesit e parë dhe të tretë të sigurisë së Kosovës. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NjPS e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë eksplicite të Policisë së Kosovës”, ka deklaruar EULEX për Klankosova.
Po ashtu, EULEX deklaron se po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme, dhe çdo gjë që duhet, për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në suaza të mandatit tonë, si dhe për të kontribuar për sigurinë e popullatës së saj. Nëse paraqitet nevoja, Misioni mund të zbarkojë po ashtu një Njësi Rezervë të Policisë së Specializuar për të shtuar forcat e tij në teren dhe kapacitetin operacional”.