EULEX-i: Situata e sigurisë në veri e qëndrueshme, por e brishtë

17:03 | 01 Mars 2024
eulex-i:-situata-e-sigurise-ne-veri-e-qendrueshme,-por-e-brishte

Situata e sigurisë në veri të Kosovës po vazhdon të përcillet me shumë vëmendje pas sulmit të 24 shatorit në Bansjkë, shkruan Front Online.

Madje, autoritetet e Kosovës, në vazhdimësi po paralajmërojnë se mund të ketë përsëritje të skenarit të Bansjkës.

Por, nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, kanë thënë për Front Online se situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qëndrueshme.

“Për momentin, situata aktuale e sigurisë në veri të Kosovës është e qëndrueshme por e brishtë”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Front Online.

EULEX: Varësisht nga situata e sigurisë në veri mund të ketë edhe shtim të trupave

Të pyetur se a pritet të ketë trupa shtesë të EULEX-it në Kosovë në rast të paraqitjes së ndonjë rreziku, nga misioni i EULEX-it, kanë thënë për Front Online se kjo varet krejtësisht nga situata e sigurisë.

“Në varësi të situatës së sigurisë në Kosovë, Njësia e Formuar e Policisë mund të përforcohet përkohësisht me një Njësi Policore të Formuar Rezervë në mënyrë që të mbështesim më mirë homologët tanë kosovarë sipas nevojës”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Kosova po përballet me një dislokim të madh të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare.

Sipas tij , kjo do të duhej të ishte shqetësim për gjithë faktorin ndërkombëtar.

EULEX-i thotë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovës në rast të ndonjë rreziku

E, në rast të ndonjë rreziku nga EULEX-i thonë se janë të gatshëm të mbështesin Policinë e Kosovës, por vetëm brenda mandatit të misionit të tyre.

“Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it është e gatshme të mbështesë Policinë e Kosovës, brenda kufijve të mandatit të Misionit, në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj. EULEX-i me të vërtetë mund të angazhohet me kërkesë të qartë të përgjigjes së parë të sigurisë në mënyrë që të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”, thonë nga EULEX-i.

Ndërsa, e bëjnë të qartë se monitorimi i vijës kufitare është jashtë mandatit të tyre.

“Megjithatë, dëshirojmë të rikujtojmë se monitorimi i vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jashtë mandatit të EULEX-it”, kanë thënë nga EULEX-i.

Nga EULEX-i e pranojnë që viti 2023 ka qenë vit i vështirë, pasi që siç thonë ka pasur incidente të rënda të sigurisë.

“Është fakt se në vitin 2023, për fat të keq, kemi parë incidente jashtëzakonisht të rënda të sigurisë, duke përfshirë ngjarjen e dhunshme e 29 majit në Zveçan dhe më 24 shtator në Banjskë”, thuhet më tutje në përgjigjen e EULEX-it.

Nga ky mision kanë deklaruar se mbesin vigjilentë dhe janë duke monitoruar nga afër në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in të gjitha zhvillimet që ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Aktualisht numri i anëtarëve të stafit të EULEX-it në Kosovë është 370./Front Online/

 

Komento: