EULEX: Nuk kemi marrë përgjegjësitë policore në veri, jemi duke i këshilluar

20:25 | 07 November 2022

Gjatë ditës së sotme është raportuar se pjesëtarët e policisë së EULEX-it janë parë duke bërë hyrje-dalje në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

Kjo ka shqetësuar opinionin publik duke marrë parasysh edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili pas situatës së krijuar në veri ka kërkuar nga EULEX-i dhe KFOR-i që të kujdesen për sigurinë e qytetarëve në veri të Mitrovicës.

Në anën tjetër, EULEX-i në një përgjigje për lajmi.net ka bërë të ditur se nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë policore në veri të Kosovës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë policore në veri të Kosovës. Këshilltarët e lartë policorë të EULEX-it në veri janë vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Rajonit verior të Policisë së Kosovës dhe po ofrojnë këshilla për Drejtorin e Rajonit-Veri të policisë dhe katër stacionet policore nën komandën e këtij stacioni, për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore. Po ashtu, këshilltari i EULEX-it i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe këshilltari i EULEX-it i Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Në përgjigjen e tyre, EULEX ka bërë të ditur se Njësia e Formuar Policore e EULEX-it e përbërë nga 105 policë polakë, ka rritur patrullat e saj të lëvizshme të zbulimit në veri të Kosovës, për të rritur vetëdijën për situatën.

“Njësia e Formuar Policore, e cila është stacionuar në Mitrovicë, është reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, duke qenë pjesë e një mekanizmi të përgjigjes së sigurisë me tre shtresa, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe NATO/KFOR është i treti. Si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, EULEX-i mban koordinim të ngushë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretin të sigurisë në Kosovë. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX për lajmi.net.

Në fund, EULEX ka bërë të ditur se janë duke monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe e duhur për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit tonë dhe për të kontribuar në sigurinë e popullsisë së Kosovës”, kanë thënë nga EULEX-i.

Ata kanë bërë të ditur se në rast se është e nevojshme, EULEX mund të vendos një njësi policore shtesë të formuar nga pjesëtarët rezervë për të rritur më tej forcat e saj në terren dhe kapacitetin operacional.

Kujtojmë se gjendja në veri aktualisht është e qetë, ndërsa pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës që dorëzuan dje detyrën, sot kanë nisur dorëzimin e armëve dhe uniformave zyrtare.

Komento: