
Policia e Kosovë ka dhënë detaje të tjera për arrestimin e 12 zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, me ç’rast janë sekuestruar mbi 400 mijë euro.
12 arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, shkruan Periskopi.
Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se aksioni u zhvillua në disa qytete të Kosovës, si dhe u sekuestruan, armë, telefona e vetura.

“Me 24.02.2021 hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, gjatë një aksioni “Subvensioni 2021” kanë arrestuar 12 (dymbëdhjetë) persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën e lartcekur”, thuhet në komunikatë.
“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona, 8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë. Me urdhër të prokurorit njëmbëdhjetë zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtjes 48 orë ndërsa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar”, përfundon njoftimi i PK-së.