Eurodeputeti Picula: Nëse Vuçiq vazhdon kështu, s’përjashtohet ndërprerja e negociatave me BE-në

13:16 | 09 Tetor 2022

Eurodeputeti Picula thotë se nëse Vuçiq vazhdon kështu, s’përjashtohet ndërprerja e negociatave me BE-në.

Eurodeputeti Tonino Picula ka thënë se nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdon me këtë politikë, nuk përjashtohet ndërprerja e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në bllok.

Ai theksoi për televizionin N1 në Zagreb se ndër shumë gjëra që Vuçiq tha të shtunën, ndoshta më e rëndësishmja është deklarata e tij, e cila duhet mbajtur mend, se ai do të duhet të vlerësojë nëse ka ardhur koha për të pranuar një realitet tjetër.

“Më duket se prej kohësh jeton në një realitet alternativ, duke u përpjekur të ndërthur të pamundurën dhe prej kohësh rrethanat janë në favor të tij. Me ndryshimin që ndodhi në planin gjeopolitik pas 24 shkurtit dhe agresionit rus kundër Ukrainës, shumë gjëra ndryshuan dhe u përshpejtuan”, tha Picula.

Picula thotë se hapësira për manovrim për politikën e mëparshme të Vuçiqit po zvogëlohet dhe thekson se duhet të respektohen disa prioritete të reja dhe se presidenti i Serbisë duhet të përgatisë publikun serb për shumë vendime jopopullore që duhet të zbatojë, të cilat do të jenë në kontrast të thellë me narrativën që ka mbizotëruar që nga ardhja e tij në pushtet, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për Kosovën, transmeton Klankosova.

Sipas tij, takimi në Pragë ishte një pikë që çon në një politikë dukshëm më kritike dhe më të ashpër të institucioneve evropiane ndaj Serbisë dhe pavarësisht se si e interpreton Vuçiq, Serbia është në pikëpyetje.

Duke komentuar progresin e Serbisë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Picula tha se ato praktikisht tashmë janë të ngrira, sepse asnjë kapitull apo grup i ri i negociatave nuk është hapur për një kohë të gjatë dhe ka gjithnjë e më pak shanse që diçka e tillë të ndodhë deri në fund të vitit.

“Ende ekziston mundësia që Serbia të përmirësojë perceptimin e saj me një politikë tjetër, por nëse presidenti Vuçiq vazhdon me këtë politikë dhe shkakton kritika shtesë në BE, nuk përjashtohet pezullimi i negociatave”, shtoi Picula që njëherit është edhe autor i raportit mbi Strategjinë e re Evropiane të Zgjerimit.

Komento: