Evoluimi i Vjosa Osmanit: Albini i mirë, Albini i keq!

17:46 | 09 Shtator 2024
evoluimi-i-vjosa-osmanit:-albini-i-mire,-albini-i-keq!

Një mal kritikash i ka drejtuar së fundi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për Qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti, ndonëse me këtë të fundit në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar më shumë se 50 për qind të votave të qytetarëve.

Nga viti 2021 e deri më tani Osmani ka lavdëruar disa herë kryeministrin Kurti për bashkëpunimin institucional, por në një intervistë të realizuar të dielën në “Kallxo” ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë dhe përçarjen mes dy liderëve kryesor politik në vend.

Presidentja sërish ka fajësuar Qeverinë për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ka munguar koordinimi dhe sa ka qenë gabim ofrimi i Asociacionit për anëtarësim.

“Unë nuk jam pajtuar kur Qeveria e ka ofruar Asociacionin. Ka qenë gabim. Dihet kush e ka ofruar Asociacionin pesë minuta në 12:00. Nuk e kam ofruar unë, Qeveria e Kosovës”, u shpreh Osmani në Kallxo.

Edhe një deklaratë ‘thumbuese’, Osmani e lëshoi të dielën duke thënë se nuk qëndron shprehja se ‘ty të ka përkrahë Vetëvendosja’ teksa po fliste për listën e përbashkët me Kurtin në zgjedhjet e kaluara.

“Kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kaluar, ka qenë i përbashkët. Sepse kur patëm kandiduar ndaras unë i kam marrë diku 200-225 mijë vota dhe kur u bashkuam i bëmë 440 mijë. Ajo çka po them unë është që ka qenë forcë e përbashkët”.

Deklaratat e Osmanit po vlerësohen nga opozita si krisje të raporteve me Kurtin, ndërsa nga partia në pushtet nuk po pajtohen që ka përçarje por vetëm mospajtime në vendime.

Deputetja e VV-së: Kurti dhe Osmani duhet të koordinohen

Deputetja nga “Lëvizja Vetëvendosje”, Mirlinda Tishukaj deklaron për Front Online se koordinimi i Kurtit dhe Osmanit është i nevojshëm.

Ajo thotë se mund të ketë mospajtime për vendime mes dy palëve.

“Nuk ka krisje, por mospajtime për qasje e vendime se si të veprohet. Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Listën Guxo, koordinim duhet të kenë të dy palët”, thotë Tishukaj për Front Online.

Deputetja e VV-së ka theksuar se Asociacioni ka qenë parakusht i momentit të fundit për anëtarësim.

“80% e eurodeputetëve parlamentar kanë votuar në favor të Kosovës dhe raporti i Dora Bakoyannisit nuk ka qenë kusht. Asociacioni në momentet e fundit ka dal si parakusht për t’u anëtarësuar në KiE, kjo s’ka qenë e drejtë ndaj Kosovës”, u shpreh ajo.

Xhavit Haliti: Vjosa Osmani po lufton për ta siguruar mandatin e dytë

Deputeti nga “Partia Demokratike e Kosovës”, Xhavit Haliti vlerëson se raporti i kryeministrit dhe presidentes së vendit është në krizë.

Haliti tha për Front Online se presidentja po ‘lufton’ ta fitoj edhe një mandat.

Sipas Halitit, premtimi për anëtarësim në KiE ka qenë mashtrim.

“Raportet e Kurtit dhe Osmanit janë në krizë dhe Osmani po luftën në variantin e saj për ta siguruar mandatin e dytë. Osmani dhe Kurti e kanë mashtruar popullin që Kosova po hynë në KiE”, deklaroi Haliti.

Muhaxheri: Osmani dhe Kurti e kanë mbajtur të fshehur krisjen mes tyre

Nënkryetari i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Gazmend Muhaxheri ka folur për Front Online lidhur me bashkëpunimin e presidentes dhe kryeministrit të Kosovës.

Ai ka deklaruar se Osmani dhe Kurti e kanë mbajtur të fshehur krisjen mes tyre.

Muhaxheri vlerëson se koordinimi mes tyre s’ka ekzistuar.

“Tash e shumë kohë po dallohet që Osmani e Kurti nuk kanë pasur koordinim siç duhet mirëpo e kanë mbajt të fshehur këtë raport. Nuk po dihet sa janë prish marrëdhëniet por tash po shohim sa po zgjat deri t’i qesin krejt në të ardhmen”, u shpreh Muhaxheri.

Ukaj: Presidentja Osmani s’po sheh bashkëpunim me Kurtin në zgjedhjet e ardhshme

Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj ka deklaruar për Front Online se presidentja dhe kryeministri i vendit e kanë krisur bashkëpunimin për letrën e dërguar për Asociacion në KiE.

“Ofrimi i Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në KiE dhe letra e dërguar duke e përjashtuar presidenten kjo është pikënisja e përçarjes së Kurtit, Osmanit e Gërvallës”, deklaroi Ukaj.

Ukaj vlerëson se presidentja Osmani është e njohur për largimin nga partnerët partiak.

“Osmani është e njohur që në përfundim të mandatit dhe gjetjen e një mundësie më të mirë largohet nga partnerët për të gjetur të rinj. Me Kurtin nuk e ka parë që mund të ketë bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme, përçarja veç po thellohet”, përfundoi Ukaj për Front Online.

 

 

Komento: