Evropa në alarm nga i nxehti, zjarret masive kaplojnë Francën, Spanjën dhe Italinë

14:55 | 27 Korrik 2026
evropa-ne-alarm-nga-i-nxehti,-zjarret-masive-kaplojne-francen,-spanjen-dhe-italine

Evropa Jugore po përballet me një nga kriza klimatike më të rënda të viteve të fundit. Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit afrikan dhe lehtësimi minimal nga reshjet kanë kthyer sipërfaqe të tëra pyjore në vatrat e zjarrit jashtë kontrollit.

Nga rajoni i Gironde në Francë, te Castillon e Madridi në Spanjë, e deri në bregdetin e Pulias në Itali, mijëra zjarrfikës po luftojnë me flakët në një garë kundër kohës.

Franca përballet me “garën kundër kohës”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje urgjente krizash për të koordinuar reagimin kombëtar ndaj vatrës gjigante të zjarrit në rajonin e Gironde, pranë Bordosë (Bordeaux). Sipas nëntogerit David Annotel nga Mbrojtja Civile Franceze, situata është kritike dhe mund të kërkojë javë ose muaj të tërë që zjarret të fshihn plotësisht.

Përpjekjet po përqendrohen në shfrytëzimin e një dritareje të shkurtër 2-3 ditore me ulje të lehtë temperaturash përpara se të godasë vala e katërt e të nxehtit të kësaj vere. Meteo-France ka paralajmëruar se temperaturat pritet të arrijnë sërish deri në 40°C në jugperëndim të vendit.

Spanja në zjarr rreth 170,000 hektarë të djegur

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka deklaruar se “urgjenca klimatike vret”, duke premtuar mbështetjen e plotë të shtetit për rajonet e prekura. Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga fillimi i vitit 2026, në Spanjë janë djegur më shumë se 170,000 hektarë pyje, një rritje gati gjashtëfish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, theksoi se ditët e sotme janë “vendimtare” për të vënë nën kontroll vatrat në Madrid, Castellón (Castillo de Onda) dhe rajone të tjera përpara kthimit të valës së të nxehtit.

Evakuime me anije në Itali

Në Itali, situata nuk është më pak dramatike. Zjarret në gadishullin e Garganos në Pulia detyruan evakuimin përmes detit të më shumë se 400 personave, kryesisht turistë. Ndërkohë, vatrat e zjarrit po kërcënojnë edhe rajonin e Basilicatës (Maratea) dhe rrethinat e Romës.

Sipas të dhënave të insitucioneve mjedisore, mbi gjysma e zjarreve në Itali dyshohet se janë shkaktuar nga pakujdesia ose qëllimshëm (zjarrvënie e qëllimshme), duke përkeqësuar situatën që pritet të rëndohet me temperaturat deri në 40°C në ditët në vijim.

Pse janë zjarret e këtij viti kaq të vështira për t’u fikur?

Meteorologët dhe ekspertët e mjedisit shpjegojnë se kombinimi i një dimri jashtëzakonisht të lagësht që nxit rritjen e bimësisë me një pranverë e verë me lehtësime minimale të reshjeve krijoi sasi të mëdha “karburanti të thatë” (kashtë, gjethnajë, degë të thata). Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit kanë tharë edhe shtresat e thella të pyjeve, duke bërë që zjarret të depërtojnë në rrënjë e trupat e drurëve e të ringjallen edhe pasi duken të fikura.

Komento: