Evropa në flakë e tym, shkak temperaturat e larta

19:00 | 17 Korrik 2022

Temperaturat e larta kanë kapluar Evropën.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë avancuar zjarret në Francë duke e bërë të pamundur fikjen e tyre. Një zjarr i madh ka kapluar rajonin e Bordosë që vijon të jetë aktiv për të pestën ditë radhazi.

Janë evakuuar rreth 11 mijë njerëz pasi zjarri po u afrohet qyteteve të banuara.

Janë rreth 3,000 zjarrfikës të mbështetur nga avionë që hedhin ujë që po luftojnë me flakët në Francën jugore gjithashtu edhe Greqia ka dërguar pajisje zjarrfikëse për të ndihmuar. Deri më tani janë shënuar të paktën 10 mijë hektarë të shkrumbuar.

E njëjta situatë problematike është edhe në Portugali, ku piloti i një aeroplani zjarrfikës humbi jetën pasi avioni i tij u rrëzua gjatë një operacioni në verilindje. Zjarret kanë plagosur më shumë se 160 persona këtë javë dhe kanë detyruar qindra të evakuohen.

Më shumë se 1000 njerëz janë evakuuar pranë resortit të famshëm spanjoll të Malaga-s, pasi flakët e pakontrolluara po vërshojnë drejt qyteteve të afërta Alhaurin de la Torre dhe Alhaurin el Grande.

Zjarrfikësit portugezë po përpiqen të shuajnë 13 zjarre të ndryshme në të gjithë vendin, ndërsa lumi Po i Italisë është tharë në thatësirën më të keqe të vendit në 70 vjet.

Komento: