
Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po përballet me nxehtësi ekstreme dhe zjarre, në anën tjetër të botës mbizotërojnë kushte krejtësisht të ndryshme të motit. Një valë e fuqishme e të ftohtit nga Antarktida ka goditur Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke sjellë borë, temperatura ngrirëse dhe ndërprerje të mëdha të trafikut.
Bora mbuloi qytetin e Dunedinit, duke bërë që policia t’u bëjë thirrje banorëve të shmangin udhëtimet përveç rasteve të emergjencës, pasi shumë rrugë ishin të ngrira. Për shkak të kushteve të dimrit, disa rrugë u mbyllën, mësimet në shkolla u anuluan dhe u regjistruan disa aksidente trafiku.
Shërbimi kombëtar i motit MetService konfirmoi se borë kishte edhe në Wellington, ndërsa disa banorë raportuan edhe në Taupo.
“Filloi me breshër, pastaj ra borë për pesë deri në dhjetë minuta. Më pëlqeu shumë”, shkroi një banor në rrjetet sociale.
Meteorologët parashikojnë se vala e të ftohtit do të zgjasë të paktën dy ditë të tjera, me mundësinë e reshjeve të tjera të borës dhe shiut deri në nivelin e detit. E enjtja mund të sjellë temperaturat më të ulëta të regjistruara këtë vit në shumë pjesë të Zelandës së Re.
