Fahri Musliu propozon Rada Trajkoviqin për presidente të Kosovës

18:32 | 16 Dhjetor 2020

Një propozim i papritur për president të vendit ka ardhur nga gazetari i njohur kosovar, Fahri Musliu.

Ish-korrospodent i RTK-së në Beograd Fahri Musliu, ka propozuar politikanen serbe, Rada Trajkoviq, për postin e presidentit të Kosovës.

Ai ka thënë se Trajkoviq është zgjidhje kompromise për këtë çështje, dhe se zgjedhja e saj do të kishte edhe një efekt dhe jehonë jashtë Kosovës.

Sipas tij posti i presidentit është vetëm ceremonial pasi thotë se pushtetin e ka qeveria.

“Meqë zgjedhja e kryetarit/kryeplakut të shtetit është bërë kryetemë në Kosovë dhe mollë e shefit, ku kastat politike shqiptare të Kosovës nuk po mund të merren vesh, si zgjidhje kompromise propozojë që ta zgjedhin në këtë post, politikanen serbe Rada Trajkoviq”, , njofton Telegrafi.

“Edhe ashtu ky post është ceremonial, meqë pushtetin e ka qeveria. Zgjedhja e saj do të kishte edhe një efekt dhe jehonë pozitive jashtë Kosovës”, ka shkruar Musliu.

Reagimi i tij erdhi pas mospajtimeve mes pozitës e opozitës për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës, më 5 nëntor, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pranoi postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Komento: