“Fajdegjinjtë” e regjistruar si OJQ përfitojnë 10 milionë euro

13:36 | 05 Dhjetor 2019

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë janë një ndër sektorët më fitimprurës në vend.

Këto institucione kanë përftuar 9.9 milionë euro në dhjetë mujorin e parë të këtij viti, shkruan ORAinfo.

IMF-të janë të regjistruara si Organizata joqeveritare (OJQ). Sipas Ligjit për OJQ-të, ato kanë mision bamirës.

Por, jo rrallë dyshohet në këtë mision, duke i cilësuar ato se po përfitojnë në
mënyrë të paligjshme.

Madje jo rrallë ata janë cilësuar si “fajdegjinjë” për shkak të normës së lartë të interesit dhe ndëshkimeve që aplikojnë për kredimarrësit.

Norma e interesit në disa prej tyre madje është aq ekstreme sa kredimarrësit duhet të kthejnë gati dyfishin e shumë së marrë.

Në njërin nga IMF-të që proklamon kredi të shpejta, në rast se një qytetar merr 1 000 euro, ai brenda 12 muajsh duhet t’i kthejë 1 521 euro, apo këstin mujor prej 126.81 euro.

Kjo ka bërë që këto institucione të rrisin kapitalin e tyre në dëm të qytetarëve.

Sipas raportit të fundit të sistemit Financiar nga BQK, këto IMF kanë përfituar 9.9 milionë euro gjatë periudhës janar- tetor të këtij viti, përcjell ORAinfo.

Këto institucione kanë rritur fitimet e tyre për 1.3 milion euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur fitimet e tyre ishin 8.6 milionë euro.

Sipas raportit të BQK-së gjatë kësaj periudhe kohore IMF-të kanë lëshuar 177.7 milionë euro kredi, ku prej tyre 117.1 milionë euro për ekonomitë familjare dhe 60.6 milionë për bizneset.

Institucionet mikrofinanciare në Kosovë në vazhdimësi ishin kritikuar për norma të larta të interesit.

Mirëpo, këto kritika nuk i kishte marrë për bazë Banka Qendrore e Kosovës, si rregullator i këtij tregu.

Ata janë arsyetuar se këto institucione veprojnë në bazë të ekonomisë së tregut të lirë dhe se nuk mund të ndërhyjnë në normat e tyre te interesit. /ORAinfo/

Komento: