Besimtarët myslimanë në Tiranë do të rikthehen në sheshin “Skënderbej” për faljen e madhe të Namazit të Bajramit. Bajramin e shkuar, e patën të kufizuar mundësinë për të falur Fitër Bajramin për shkak se viti pandemik sapo kishte filluar.
Pas 30 ditëve agjërim, si përkushtim e sakrificë në emër të Zotit, kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu, i uroi besimtarët me shprehjen kuranore se “pas vështirësisë vjen lehtësimi”.
Falja e Namazit do të nis në orën 05:40 të mëngjesit, 20 minuta para hapjes së kufizimit të lëvizjes në të gjithë Shqipërinë. Të pranishëm do të jenë mijëra besimtarë, të cilëve u është kërkuar mbajtja e maskave dhe ruajtja e shëndetit për të shmangur përhapjen e virusit.
Ceremonia fetare do te mbyllet në orën 06:20, për të vijuar festën me bashkimin tryezat e vatrave familjare, por edhe ne ambientet sociale për besimtarët në nevojë.