Janë prangosur dy persona në Pejë, pasi të njëjtit dyshohen se kanë falsifikuar 39 mijë euro.
Policia e Pejës ka prangosur dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i parasë, vënie në qarkullim si të vërteta’.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi, ku thuhet se pas një aksioni policor janë sekuestruar treqind e nëntëdhjetë e tri (393) kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara prej njëqind euro (100 euro), vlera e të cilave arrin tridhjetë e nëntëmijë e treqind euro (39,300.00 euro ).
“Policia e Kosovës konkretisht Sektori i Hetimeve të Krimeve Ekonomike – DHKEK, pas aplikimit të metodave dhe teknikave të avancuara të hetimit, mbështetur nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar operacionin policor lidhur me planin operativ ‘100 euro’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se të prangosuri janë I. S. lindur me 1981 dhe F. B. i lindur me 1993 që të dy shtetas të Kosovës.
“Me urdhër verbal të gjyqtarit, nga Gjykata Themelore në Pejë, janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar dy (2) telefona celularë, një automjet i tipit Golf V ngjyrë e zezë me targa vendore. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti i Kri imeve të Rënda dhe me aktvendim personi nr. 1 dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa personi nr. 2 lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.