Familja e tij largohet nga fshati, plaku 90-vjeçar mbetet i vetmuar

19:58 | 05 Shkurt 2019

Një 90- vjeçar jeton i vetëm.

Është ndër më të moshuarit në gjashtë fshatra përreth. 90 veçarit, i cili jeton në shtëpi i vetëm mes maleve të fshatit, i bën shoqëri vetëm gurgullima e ujit të lumit që ka pranë.

Hetem Halili, nga fshati Keçekollë, ka thënë se nuk do të largohet nga ky vend, pavarësisht që familja e tij, tashmë e një kohë të gjatë që janë shpërngulur.

“Këtu jam lindur, këtu jam rritur, këtu jam plakur. Edhe lufta kur ka qenë unë nuk jam larguar nga ky vend. Këtu kam jetuar. Mirë kaloj, por po më pengon që nuk po kam me kë të bëj bisedë. Kam televizionin e ai nuk po ma prish hiq qejfin. Deri të vdesë nuk do ta lëshojë këtë vend”, deklaroi për RTV Dukagjinin Hetem Halili.

Me opingat e tij prej lëkure, dhe me shkopin që mbështetët në të, ai shëtit përreth oborrit të tij, duke kujtuar kohën kur ishte i ri.

Vendlindja i sjellë kujtime të mira atij, por as vështirësitë nuk i kishin munguar përgjatë këtyre viteve.

“Kam punuar vet tokën, kam pasur traktorin. E mbaj në mend luftën edhe kur ka qenë gjermanët këtu, madje kam qenë i plagosur”, shprehet më tej i moshuari, përcjell Telegrafi.

Plaku vetullbardhë, ndonëse i shtyrë në moshë, përveç punëve të shtëpisë, sot ai arrin të kujdeset edhe për 200 pemë që i ka të mbjella afër shtëpisë së tij.

Përveç profesioneve të shumta qe kishte pas, ai për 40 vite kishte kënduar në dasma , me sharkinë që e mban edhe sot.

Ai ka thënë se ato kanë qenë vitet më të mira të tij.

“40 vjet kam kënduar me sharki edhe kam pas shumë sukses. Në Gollak kam qenë më i zoti nga të gjithë. Por pleqëria më ka rrëzuar”, rrëfen Hetem Halili.

Jeta në fshat e kishte kalitur paksa, por jo edhe për t’ia humbur dashurinë për të.

Plaku i urtë, e pak fjalë, mes nostalgjisë për të kaluarën, ka thënë se ajri i këtij vendi e ka mbajtur të fortë.

Komento: