Familja Llausha nga Vushtrria po kërkojnë drejtësi për vdekjen e vëllait të tyre Adem Laushës, i cili me 5 nëntor të këtij viti ishte aksidentuar rëndë nga një veturë e Policisë së Kosovës qendër të Prishtinës, raporton Front Online.
Ademi veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për një javë ka luftuar me jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por ai dje ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda që kanë ardhur në trupin e tij nga goditja e veturës së Policisë së Kosovës.
Vëllai i tij Fehmi Llausha në një prononcim për Front Online thotë se familja e tij është e revoltuar tej mase me organet shtetërore që sipas tij prej momentit të goditjes e deri në momentin e vdekjes askush nuk është interesuar për shëndetin e vëllait të tyre tashmë të vdekur.
“Në bazë të informatave që ne kemi si familje vëllai jonë është aksidentuar nga një veturë e Policisë së Kosovës që ka qenë në shpejtësi shumë të madhe. Po ashtu, në bazë të informacioneve që ne kemi polici që ka shkaktuar aksidentin edhe më herët ka pasur probleme. Por, ku është më e rëndë për në si familje se prej momentin kur është goditur vëllai e deri kur ka vdekur askush nuk është interesuar për shëndetin e tij. Kjo qasje e Policisë, por edhe e hetuesisë na ka revoltuar tej mase neve si familje”, ka thënë Llausha për Front Online.
Ai më tutje tregon se Policia ka tentuar që këtë rast ta mbaj larg publikut.
Llausha tregon se Policia ka marrë masa ndaj policit që ka shkaktuar vdekjen vetëm pas vdekjes së vëllait të tij Ademit.
“Vendi ku është shkaktuar aksidenti ka kamera të shumta. Ne kërkojmë sa më shpejt që është e mundur që organet e hetuesisë ta hetojnë këtë rast dhe ata që kanë shkaktuar vdekjen e vëllait tonë ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Llausha për portalin Front Online.
Adem Llausha është varrosur sot në varrezat e fshatit Begaj të komunës së Vushtrrisë. / Front Online /